Rrahmani i dëshpëruar: E dinim që do vuanim

0

Amir Rrahmani u kthye në Elbasan dhe ishte titullar për të dytën herë brenda pak ditësh për Dinamon e Zagrebit. Djaloshi me një të shkuar te Partizani, tashmë pjesë e Dinamos, është një pikë kyçe e Kosovës dhe shpreson të bëhet i tillë edhe te Dinamo, ku në fakt mund të ketë tërmet pas dështimit të djeshëm.

Duke folur në Supersport pas ndeshjes, Rrahmani e pranoi se e kishte frikën e eliminimit: “I kam paralajmëruar shokët, e dinim çfarë ekipi ka Skënderbeu. I pamë që para dy vitesh dhe e dinim që po rriten. Ishim përgatitur për një ndeshje shumë të vështirë, shpresonim të shënonim, por nuk ia dolëm. Kështu e ka futbolli, tani na mbetet të punojmë shumë, pasi kemi ndeshje kampionati që këtë fundjavë dhe duhet të mbrojmë vendin e parë dhe për të fituar kupën”.

Situatë e nderë në klubin kroat, që kishte më shumë se një dekadë që nuk provonte nj dështim të tillë: “Është një moment i vështirë, do na duhet pak kohë të rigjejmë besim në vetvete”.

Lajmi i mirë për Rrahmanin është se po nis të luajë rregullisht: “E kam pritur gjatë momentin tim, tashmë trajneri më ka dhënë besim dhe shpresoj ta bind që e meritoj të luaj në formacion”.

Emocionet në kthimin në Shqipëri nuk mund të mungonin, edhe pse Rrahmani ishte jo pak i zhgënjyer nga fakti që e trajtuan si kundërshtar: “Ndjenjë e veçantë të kthehem në Elbasan, por sot i kisha të gjithë kundër. Dëgjova shumë fishkëllima ndaj Dinamos, ndërsa falënderoj ata që më kanë duartrokitur”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.