Skënderbeu gjen Arshavinin në turin e dytë

0

Është hedhur sot shorti edhe për çiftet e turit të dytë në Europa League, short që është ndjekur me interes nga klubet tona.

Skënderbeu ka qenë më i interesuari, natyrisht, sepse duket i sigurt për kalimin e turit të parë dhe për këtë arsye bën llogaritë për më tej.

Në turin e dytë korçarët do të ndeshen me fituesin e çiftit Kairat Almati-Atlantas.

Me shumë gjasa do të kualifikohet Kairati, klub nga Kazakistani, që vitin e shkuar eliminoi pa probleme Teutën dhe u ndal në turin e dytë nga Makabi i Tel Avivit, rivali i Tiranës pas pak ditësh.

Dy herë kampion në Kazakistan, Kairati ka eliminuar edhe Kukësin (1-0, 0-0) në sezonin 2014/15, ndërsa një sezon më pas shkoi deri në fazën play-off në Europa League, ku u mund nga Bordoja.

Avantazhi kryesor i Kairatit është fakti se është në kulmin e sezonit, duke qenë dy pikë pas Astanas në kampionat, me 18 ndeshje të luajtura, ndërkohë që yjet e skuadrës janë mesfushori Iliçeviç dhe sulmuesit Arshavin e Gohou.

Ndërkaq, Partizani do të përballet me fituesin e çiftit Beitar-Vasas, pra rival izraelit ose hungarez për të kuqtë. Beitari duket favorit, pasi ka një skuadër më cilësore, por Partizani në radhë të parë duhet të kalojë Botevin dhe nuk do ta ketë të lehtë.

Ndërkaq, Tirana duhet të bëjë një mrekulli kundër Makabit të Tel Avivit, sepse më pas do ta kishte shumë më të lehtë, duke parë se në turin e dytë përballë do të jetë fituesja e çiftit SJK e Finlandës kundër KR Rejkiavikut të Islandës.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.