Bën punë edhe barazimi pa gola, por korçarët do të bëjnë lojën e tyre të zakonshme. Përvoja dhe kualiteti nuk u mungon. Kazakët vijnë me Iliçevicin
Leonard Trebicka
Skënderbeu ka bërë mirë në Europë vitet e fundit, ku ka edhe rekordin e arritjes deri në fazën me grupe të Europa League për ekipet shqiptare. Ka pasur fat, por më së shumti ka treguar forcën e tij si një ekip, që luan futboll të bukur dhe rezultativ. E tregoi në Kazakistan, duke dominuar në fushën e një kundërshtari me kualitet të lartë. Mori një barazim me gol në fushë kundërshtare, me shumë vlera për sfidën e kthimit. Dhe sot i duhet edhe një sforco për të qenë në turin tjetër, duke eliminuar Kairat Almatin, ekip me një buxhet shumëfish më të lartë se korçarët.
Çfarë i duhet të bëjë Skënderbeut sot në mbrëmje? Thjesht të përsëritë veten në aspektin e lojës. Përvojën dhe kualitetin e ka. Kuptohet, kazakët do të kenë një angazhim tjetër në ndeshjen e sotme, sepse u duhet fitorja ose barazimi me më shumë se 2 gola për të kaluar më tej. Skënderbeut i mjafton edhe një barazim pa gola, por nuk do të hyjë në fushë me këtë mendim. Skuadra juglindore, duke pasur parasysh atë që është parë në stërvitjen e ditëve të fundit, synon ta mbajë Kairatin sa më larg zonës së saj me një qarkullim të dendur të topit. Skënderbeu nuk do të luajë në mbrojtje, kjo është e sigurt. Do të bëjë lojën e vet, me kujdes maksimal në prapavijë. Presioni është më i madh në anën kundërshtare dhe do të rritet edhe më shumë, nëse korçarët do të shënojnë. Latifi me shokë kanë një shans të artë për t’i rritur vlerat vetes dhe Skënderbeut. “Arma” plus e korçarëve sot është tifozëria, që mendohet të jetë në numër rekord në stadium.
GJENDJA – Korçarët gëzojnë një formë të mirë fizike dhe e kanë lënë pas lodhjen nga transferta e largët kazake. Më të lodhur do të jeë këta të fundit dhe ky është një plus për Skënderbeun, që gjithashtu gëzon edhe një gjendje psikologjike të admirueshme, pas paraqitjes së mirë në ndeshjen e parë. Grupi është i plotë dhe stafi teknik i Skënderbeut është i qetë në këtë drejtim. Zgjedhjet janë të shumta për trajnerin Daja. Nga ana tjetër, Kairati mund të bëhet më i rrezikshëm sot në mbrëmje, pasi do të ketë në dispozicion edhe një nga “yjet” e skuadrës, kroatin Iliçeviç, i cili mungoi në 90-minutëshin e parë. Nëse ai luan, do të thotë më shumë punë për korçarët.
FAKTORI DAJA – Jo vetëm nga ata që e panë ndeshjen e parë në Kazakistan, por edhe nga shtypi vendës, u pranua fakti se trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, e kishte përgatitur atë përballje më mirë se kolegu i tij. Edhe vetë lojtarët e Kairatit pranuan se Skënderbeu i vuri në vështirësi me lojën e tij dhe se ata nuk e kishin nënvlerësuar aspak. Trajneri Daja bëri disa lëvizje në formacion, duke kaluar Xhejmsin në sulm dhe aktivizuar titullarë Takun në ta djathtë të mesfushës dhe Nimagën në qendër. Zgjedhje të goditura të trajnerit kryeqytetas, i cili ka lënë të kuptohet se do t’i besojë sërish të njëjtit formacion. Daja njihet si një trajner që u kushton shumë vëmendje detajeve të ndeshje dhe sot pritet që ai të triumfojë sërish. Tashmë ka edhe më shumë njohuri për kundërshtarin dhe e ka të qartë në kokën e tij planin për të arritur kualifikimin, që do të ishte një sukses i madh, duke pasur parasysh emrin e ekipit kazak. Tani është skuadra që duhet të manifestojë në fushë më të mirën e saj, thjesht siç bëri edhe një javë më parë.