Skema e së Parës, Tahiri: Garë e pavlerë, duhet ndryshim urgjent!

Lysien Nyrishmi, Shefit i Sektorit të Garave në FSHF, një ditë më parë deklaroi se formula në Kategorinë e Parë do të ndryshojë. Edhe pse këtë herë federata e vuri dorën në plagë, rregullorja po bëhet në “Mur Berlini” për ndryshimin e kësa formule, që ka vite që po e dëmton garën, kryesisht në fazën e tretë. Burokracitë e mbajnë prezent, por për SportEkspres.com, specialisti i futbollit Ermal Tahiri jep disa detaje, pse ndryshimi duhet bërë urgjentisht.

PRECEDENTI KAMZA – “Me rënien e Kamzës nga Superiorja në të Dytën, u krijua një mundësi për një skuadër të tretë për të plotësuar 20 skuadrat e Kategorisë së Parë. FSHF-ja u gjend e papërgatitur për këtë situatë dhe ndryshimin duhet ta kishte deklaruar menjëherë, që në momentin kur Kamza u dënua. Nëse do të bëhej kështu, do të kishim një garë më të fortë në dy kategori”.

NDRYSHIMI – “Çdo ndryshim që i shërben garës duhet bërë urgjentisht dhe bisturinë e ndryshimit e ka në dorë FSHF-ja. Në këtë rast duhen shpërfillur burokracitë, sepse kur kemi një rast urgjent për ndryshim, edhe Kushtetuta ka ndryshuar, jo më rregulloret në futboll. Nuk duhet zvarritje, por vendimmarrje e shpejtë. S’ka vlerë gara kur formula deklarohet e dështuar dhe përsëri flirtohet me të”.

SEZONI I RI – “Nëse do ta fillojmë edhe sezonin 2019-2020 me këtë formulë në Kategorinë e Parë, gara do të jetë e zbehtë dhe pa vlerë për futbollin. Edhe në kategoritë e tjera do të ketë ndikim negativ kjo formulë, pasi efektet në këtë rast janë zinxhir. Që këto të eliminohen, ndryshimi është kura e domosdoshme. Mendimet e Shefit të Sektorit të garave në FSHF janë të drejta, por vonesat burokratike në vendimmarrje nuk i shërbejnë cilësisë së garës”.

FINALJA – “Mendoj se të enjten do të kemi një finale të denjë në Kategorinë e Parë, sepse të dyja skuadrat, Vllaznia e Bylisi, kanë qenë superiore nga skuadrat e tjera në grupet respektive. Do kemi një luftë të fortë sportive, jo vetëm për shpërblimin e 30 milion lekëve. Kjo finale do jetë edhe si një test për të dyja skuadrat, një ndeshje ku do të vendoset e ardhmja për lojtarë e trajnerë për sezonin e ri”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *