Skaneri i Hafizit dhe Shkëmbit: Nuk kemi orientim dhe… karakter

0

Astrit Hafizi, ish-trajneri i kombëtares, ka analizuar takimin e bërë nga Shqipëria kundër Skocisë. Shkodrani vë re shumë problematika, që i shpreh hapur në “Supersport”.

“Jemi me vonesë në dyluftime, kryejmë faulle pa fund. Nuk e kontrollojmë topin, është një difekt i yni. Me skuadra të nivelit tonë, si Skocia, duhen shfrytëzuar ato pak raste që krijon. Ashtu fitojmë ne, nuk krijojmë dot raste pa fund, Balaj pati dy mundësi shumë të mira, por nuk shënoi, në një kohë që në Portugali shënoi dhe fituam. Në total kemi mungesë orientimi, mbrojtja më duket shumë e rëndë, edhe futja e Prengës më duket e gabuar me sulmin e shpejtë skocez”, tha mes të tjerash Hafizi.

I ftuar në emision ishte edhe Bledi Shkëmbi, trajneri aktual i skuadrës së Teutës. Korçari mendon se kombëtarja nuk pati një bosht dhe karakteri ishte ai që na mungoi kundër Skocisë.

“Është për të ardhur keq që e humbnim topin me aq lehtësi. Sot mungoi boshti, grupi i lojtarëve të aftë të udhëheqin ekipin dhe të organizojnë lojën. Lilaj e nisi mirë dhe pati rënie, ndërsa Ndoj dhe Xhaka nuk ishin në nivelin e duhur, edhe pse Ndoj ndryshoi shpesh vendosje. Pavarësisht nga gabimet e mundshme të trajnerit, mendoj se vuajmë për karakter në fushë”, u shpreh Shkëmbi.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.