Skandal i bujshëm trukimesh, klubi spanjoll rrezikon zhdukjen

Futbolli spanjoll është tronditur jo pak ditën e sotme, teksa ka plasur një skandal i bujshëm. Presidenti i Hueskas, ekip që këtë sezon luajti në La Liga, është arrestuar nën akuzën e trukimit të ndeshjeve.

Përveçse numrit një të klubit, janë arrestuar edhe disa lojtarë që vitin e shkuar kanë qenë në ekipin e Hueskës. Së fundmi, “La Liga” në një komunikatë zyrtare ka bërë me dije edhe ndeshjen që dyshohet si e trukuar.

Sfida e luajtur në majin e vitit 2018, mes Hueskës dhe Gimastik Tarragona është ndeshja për të cilën bëhet fjalë. Në atë kohë, vendasit e Hueskas e kishin siguruar ngjitjen në La Liga, ndërsa miqtë luanin për mbijetesë.

Favorit supozohej të ishte Hueska, por vendasit ishin pa motiv, kështu që kuotat ishin gati-gati të balancuara në baste. Gjithsesi, disa orë përpara ndeshjes, fitorja e Gimnastik u ul në mënyrë drastike, duke prekur kuotën 1.5. Madje disa kompani e hoqën si ndeshje.

Gjithashtu, përveç fitores së miqve, shuma të mëdha ishin luajtur edhe për barazim në pjesën e parë, ku diçka e tillë ndodhi, pasi ndeshja përfundoi 0-1 me gol të Uçes në minutën e 72-të. Tashmë, Hueska rrezikon shumë, teksa mund të përfundojë në kategoritë më të ulëta si pasojë e dënimit, ose deri në zhdukjen e klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *