Skandaloze, një sjellje e turpshme dhe pa asnjë logjikë, juridike apo njerëzore. Republika Çeke refuzon t’i japë vizën Xhejms Adenijit, i cili është bllokuar në Shkup.
Skënderbeu do të presë aty, deri në zgjidhjen e problemit, ndërsa ka paralajmëruar se nuk ka ndërmend të lëvizë nga Shkupi pa sulmuesin afrikan.
POSTIMI I SKËNDERBEUT
Skuadra është nisur sot drejt Shkupit ku do të qëndrojë një natë aty e më pas do të udhëtojë drejt Pragës. Në fakt ky është programi që është menduar por nuk dihet nëse do të realizohet pasi lojtari i Klub Futboll Skënderbeu, Xhejms Adeniji nuk është pajisur me vizë kalimi. Absurde, një ndeshje e nivelit të tillë e futbollistë nuk udhëtojnë për arsye burokratike të cilat nuk duhet të ndodhin.
Pavarësisht ndërhyrjes së Ministrisë së Jashtme, ambasadorit shqiptar në Çeki, UEFA-s, Ambasada Çeke ende nuk i ka dhënë vizën e udhëtimit lojtarit tonë. Në këto kushte, klubi ka vendosur të qëndrojë në Shkup derisa Xhejms të marrë vizën. Jemi një familje e madhe dhe kemi arritur suksese falë grupit dhe harmonisë. Nuk mund ti ndodhë askujt ky problem, ndaj nuk dëshirojmë të na ndodhi ne!