Situata me Kalenë, FSHF pezullon çështjen

Një situatë e komplikuar duket përplasja mes Kukësit dhe Elton Kalesë. Braziliani prej kohësh kërkon që të marrë dokumentar për të nënshkruar në Vlorë, por Kukësi pretendon se mesfushori anësor ka edhe për një vit kontratë. Diçka e tillë mohohet nga Kale, i cili ka akuzuar se kontrata është e parregullt, për shkak të datës së saj.

Konflikti përfundoi në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, por “SportEkspres.com” mëson se edhe aty gjithçka ka mbetur në ajër. Veç padisë në FSHF, lojtari e ka çuar çështjen edhe  në FIFA. Në të tilla rrethana FSHF e ka pezulluar çështjen duke i dhënë të drejtën e vendimit vetëm FIFA-s.

Një situatë disi absurde, pasi FSHF qëndron neutrale në këtë mes, kur është pikërisht institucioni që duhet të merret me situata të tilla, pasi kontratat depozitohen atje. Në të tilla kushte lojtari është i “burgosur” të mos nënshkruajë me asnjë skuadër, pasi merkato është në fund dhe pas datës 31 gusht do e ketë shumë të vështirë të gjejë një ekip. Prej disa kohës braziliani stërvitej me Flamurtarin, por kjo situatë duket se ja mbyll derën dhe në Vlorë. Nuk dihet se kur mund të vijë një përgjigje nga FIFA, por sigurisht që do të vonojë disi.

Një situatë shumë e komplikuar, me FIFA-n, që do të ketë precedentin e dytë pas një viti për të njëjtën situatë, pasi Izair Emini mori të drejtën për të kaluar tek Shkëndija vetëm në ditën e fundit të merkatos së verës një vit më parë. Mbetet për t’u parë nëse do të ndodhë e njëjta gjë edhe këtë vit, apo Kukësi do të fitojë betejën me mesfushorin. Deri në dhënien e një vendimi, Kale është pjesë e Kukësit, por lojtari nuk pranon që të rikthehet tek verilindorët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *