Mançester Siti këtë fundjavë u rikthye për të kryesuar Premier Ligën, teksa numëron 19 pikë pas shtatë javësh të luajtura. Kampionët aktual, të cilët udhëhiqen nga Pep Guardiola, duket se kanë lënë pas humbjen befasuese në Champions ndaj Lion dy javë më parë.
Guardiola njihet si një trajner që i mbështet shumë të rinjtë dhe mundohet ti japë sa më shumë hapësira. Te Siti po fiton minuta këtë sezon ukrainasi Zinçenko si dhe anglezi Fil Foden. Pikërisht, për këtë të fundit duket se drejtuesit e Mançester Sitit po përgatisin ofertën e rinovimit dhe paga që do t’i ofrohet do të pësojë një rritje goxha të madhe.
Aktualisht 18-vjeçari përfiton rreth 3 mijë sterlina në javë, ndërsa me kontratën e re që Siti do t’i paraqesë mesfushorit do e bëjë anglezin të përfitojë 25 mijë sterlina në javë. Padyshim një vlerësim i madh që “Citizens” i bën talentit Foden, ku do të marrë diçka më shumë se 8-fishi i pagës aktuale.