Rahim Stërling u bë shpëtimtari i Mançester Sitit, duke shënuar një tjetër gol në kohën shtesë për Mançester Sitin (ka shënuar 4 gola këtë sezon pas minutën së 84-t, 3 në 3 ndeshjet e fundit), pasi Oriol Romeu kishte barazuar për Sauthemptonin. Siti fitoi 2-1, me shumë vuajtje, por skuadra e madhe di të fitojë edhe kështu. Prej 21 gushtit, kur lëshoi barazimin e vetëm sezonal në kampionat, Siti ka vetëm fitore në kampionat dhe ruan 8 pikët avantazh nga Junajtid, që shpresoi të shkurtonte distancën sot, duke parë që Siti deri në minutën e 96-të ishte në barazim. 40 pikë në 14 ndeshje, 13 fitore e një barazim, rekord që e mbante Totenhemi në sezonin 1960/1961.
Ndërkaq, Liverpuli fitoi 3-0 në të ftohtin e Stoukut, aty ku ndezi mbrëmjen Mohamed Salah, autor i dy golave duke e nisur nga stoli. 16 gola këtë sezon për Salah (12 në Premier Ligë), ritëm fantastik për egjiptianin, që ka mahnitur Anglinë, ndërsa Liverpuli është i pesti dhe mundohet të qëndrojë sa më pranë Çelsit e Arsenalit.