Shkodrani qartëson gjithçka për “Sport Ekspres”, duke theksuar se tashmë është e qartë e ardhmja e tij, pasi kampionati ku do të vijojë karrierën është vendosur
Jurgen Zela
Ditë pas dite në media qarkullon një klub i ri europian si opsion për të ardhmen e Sindrit Gurit. Ç’është e vërteta shkodrani ka impresionuar me paraqitjen e tij dhe shumë klube të Europës kanë kthyer sytë nga ai. Kukësi është me fat që ka në skuadër një “xhevahir” që për pak kohë do i sjellë një shifër të majme. Lojtar i kompletuar dhe vetëm 24 vjeç, elementë të mjaftueshëm për t’i bërë klubet që të investojnë te autori i 15 golave këtë edicion me Kukësin. Emri i Gurit është lakuar në shumë skuadra të huaja, madje në takimin e fundit me Skënderbeun në tribunë ishin shumë skuadra që kishin dërguar përfaqësuesit e tyre për të ndjekurin sulmuesin shtatlartë. Pavarësisht kësaj, dëshira e lojtarit është ajo që ka rëndësi më shumë se gjithçka dhe tashmë Guri duket se e ka bërë zgjedhjen e tij. Do të jetë Belgjika destinacioni i ri i Sindrit Gurit.
DEKLARATA – Për “Sport Ekspres” vetë lojtari ka preferuar të qartësojë të ardhmen e tij, teksa shkurtimisht ka thënë: “Është e vërtetë që ka një interes shumë të madh për mua nga shumë skuadra të huaja, megjithatë unë e kam bërë zgjedhjen time tashmë. Besoj se edicionin e ardhshëm unë do të luaj në Belgjikë. Dëshira ime është që të provoj një tjetër aventurë të re në kampionatin belg”, përfundon Guri, duke “mbyllur” në një farë mënyre dyert për skuadrat e tjera që kanë shfaqur interes për të.
Tashmë nuk ka më vend për aludime dhe rrethi është ngushtuar shumë. Guri do të shkojë në Belgjikë dhe kjo është e sigurt, por emri i skuadër mbetet ende enigmë, pasi Shkumbin Qormemeti është ai që po e trajton me kujdes këtë transferim dhe po punon në disa pista. Interesi nuk është i vogël, pasi siç mësohet janë plot 4 skuadra belge që kanë nisur bisedimet për të siguruar shërbimet e lojtarit të Kukësit. Tani përfaqësuesit e Gurit dhe klubi i Kukësit presin ofertën më të lartë nga skuadrat belge. Me shumë gjasa gjithçka do të mbyllet shumë shpejt dhe emri i skuadrës së re së shkodranit do të mësohet para se të mbarojë ky edicion futbollistik. Dashuria mes Gurit dhe Kukësit i ka ditët e numëruara, por për fatin e mirë do të jetë një ndarje që do i kënaqë të dyja palët. 24-vjeçari ka marrë garancinë e tij për transferimin në Belgjikë, çka kuptohet nga zgjedhja e tij me dëshirë, ndërsa klubi i Kukësit ndonëse do të humbasë një “makineri golash” do të arkëtojë një shifër rekord sa i përket Kukësit, ndërsa mund të jetë një rekord dhe për Superioren.