Siguruan kualifikimin në Champions League, klubi anglez synon transferimin e Kristjan Asllanit

Kristjan Asllani u kurorëzua për herë të parë kampion i Serisë A, teksa Interi fitoi titullin e 20 në histori. Por pavarësisht këtij suksesi, mesfushori shqiptar mund të lëvizë nga Milanoja në verën e ardhshme. Futbollisti i Kombëtares kuqezi pëlqehet në Premier League.

Bëhet fjalë për Aston Villa-n. Skuadra nga Birmingham-i siguroi pas disa dekadave kualifikimin për në fazën e grupeve në Champions League dhe për këtë arsye planifikon që të përforcojë ekipin në këtë merkato. Alternativa e vetme në mesin e fushës është Boubacar Kamara, i cili ka pësuar një dëmtim dhe do të kthehet i gatshëm në vjeshtë.

Në këto kushte, drejtuesit e Aston Villa-s kanë piketuar Kristjan Asllanin. Interi e konsideron talentin shqiptar një element mjaft të vyer për të ardhmen, por do të jepte dritën e gjelbër në rast se do të paraqitej një ofertë zyrtare prej të paktën 25 milionë paundësh. Sipas asaj që përflitet në mediat italiane, Aston Villa po planifikon të ofrojë 55 milionë paundë për të siguruar firmën e Asllanit dhe Dumfries-it./Halit Delibashi-Sport Ekspres/