Shifrat që nuk i evidentoi Safet Gjici: Rendimenti i Elis Bakajt në vitin 2018 nuk ishte negativ, pasi ka shënuar dy gola dhe ka qenë iniciatori kryesor në katër gola të tjerë
Jurgen Zela
Elis Bakaj nuk ishte as në stol ndaj Lushnjës, duke u konfirmuar përfundimisht transferimi i tij te Shaktjor Soligorsk. Një aventurë e re në Bjellorusi për golashënuesin më të mirë të sezonit aktual, teksa Kukësi humbet një nga lojtarët kyç të formacionit. Kampionët nuk dalin pa përfitime financiare në këtë mes, pasi në arkat e klubit do të depozitohet një shifër prej rreth 120 mijë euro. Vetë lojtari në krahun tjetër do të nënshkruajë një kontratë të “majme”. Kushdo që të ishte trajner, nëse do i thuhej se shënuesi më i mirë i skuadrës mund të largohet, me shumë gjasa nuk do të ishte dakord. Edhe Peter Pakult pas ndeshjes nuk preferoi që të fliste shumë për Bakajn, pasi tani nuk është më pjesë e skuadrës së tij. Me shumë mundësi nuk do të ndryshojë asnjë nga vendosja e Kukësit në fushë, pasi janari ka dhënë “ilaçin” që i duhej. Donjet Shkodra po bën mirë në pozitën pas sulmuesit, ku është aktivizuar Bakaj. Në dy ndeshjet e fundit ai ka bërë mjaft mirë dhe do të jetë zëvendësuesi. Shtohet mundësia për më shumë minuta për lojtarët si Albi Koldashi dhe Kristi Joti, që luajnë në qendër të mesfushës. Bakaj ishte shënuesi më i mirë i Kukësit, por dhe një nga lojtarët që ka shërbyer më së shumti për shokët e skuadrës.
DEKLARATA
Lojtari këtë vit luajti në 7 nga 9 ndeshjet që ka zhvilluar Kukësi, Duke munguar vetëm me Laçin dhe së fundmi me ekipin e Lushnjes. Presidenti Safet Gjici, i ftuar dy ditë më parë në emisionin “Fair Play”, nuk la jashtë vëmendjes dhe largimin e Bakajt, teksa u shpreh: “Kam pasur një ofertë që në janar për Bakajn, por nuk doja ta largoja, sepse bëri mirë në dy fazat e para, ishte shënuesi më i mirë. Elisi është djalë i mirë dhe lojtar i mirë, por ndonjëherë e tepron dhe unë nuk i kam qejf këto gjeste. Një lojtar që ka ofertë dhe nuk e lejon të largohet, nuk luan më si ka luajtur. Në 5 ndeshjet e fundit nuk bëri asgjë për skuadrën, ndoshta e kishte mendjen të ikte. E menduam me trajnerin, “nëse ka këtë mendje, ta lëshojmë e të shohë punën e tij”. Kemi lojtarë që shënojnë gola, shënojnë edhe mbrojtësit e mesfushorët. Unë e kam parë me vëmendje, nuk pendohem nga vendimet që marr”. Sa i përket sjelljes, Bakaj gaboi në ndeshjen me Partizanin dhe kjo u dënua nga të gjithë, por nëse flitet për rendimentin e tij, mund të bëhet një bilanc për të parë kontributin e tij në ndeshjet e këtij viti.
BILANCI
Në ndeshjen e parë të vitit, atë me Vllazninë, Bakaj arriti që të shënonte golin e tretë në shtesën e ndeshjes. Në kampionat, një javë më pas, ishte po ashtu autori i golit të barazimit me Flamurtarin, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Këtë vit ka shënuar 2 gola në 7 ndeshje, jo dhe aq shumë, por duke parë dhe kontributin e tij në golat e shokëve të skuadrës, duhet vlerësuar ajo që ka bërë. Në Kupë Bakaj shërbeu saktë për Gurin që në minuan e 4-të në ndeshjen e kthimit. Diçka të tillë e bëri dhe pak ditë më pas, këtë herë në Tiranë kundër Partizanit, kur nga këmbët e tij u gatua goli i parë i ndeshjes. Takimi i fundit me Kukësin ishte mes acarit në “Zeqir Ymeri”. Bakaj ishte iniciatori i të dy golave. Në fillim shërbeu saktë për Kalenë nga goditja e dënimit, ndërsa në golin e dytë Shkodra realizoi pas një goditje të Bakajt që u ndal nga Teqja. Gjici deklaroi hapur se kishte parë se lojtari nuk ishte më i njëjti, por statistikat këto janë. Të gjithë mund të gjykojnë vetë.
Ndeshjet ku Bakaj ka qenë protagonist në vitin 2018
Vllaznia 1–3 Kukësi
Bakaj gol në minutën 90+1’
Kukësi 1-1 Flamurtari
Bakaj gol nga penalltia, 85’
Kukësi 1-0 Tirana
Bakaj asist, 4’
Partizani 1–3 Kukësi
Bakaj asist, 66’
Kukësi 2-2 Skënderbeu
Bakaj asist, 20’, 44’