Do të jetë Sokol Cikalleshi mungesa tjetër e madhe e Kombëtares kuqezi për dy ndeshjet me Spanjën dhe Italinë. Sulmuesi shtatlartë është dëmtuar ditën e sotme dhe nga analizat e kryera ka dalë përfundimi se kavajasi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Kristian Panuçit. Cikalleshi është nisur drejt Turqisë për te skuadra e tij Osmanlispor, ku do të kryejë edhe ekzaminimet e mëtejshme mjekësore.
Shtatlarti ende nuk ka arritur që të debutojë në epokën “Panuçi”. Pas pezullimit në grumbullimin e muajt të shkuar nga trajneri, tashmë vjen dhe dëmtimi që e detyron të mos luajë në dy ndeshjet e fundit kualifikuese. Moment i pafat me kombëtaren për sulmuesin, i cili gjithsesi te klubi i tij sapo ka shënuar dhe në aspektin personal është në një moment të artë, sepse së shpejti bëhet baba.
Teknikut italian tashmë i shtohet dhimbja e kokës, pasi veç portierit Strakosha, duhet t’i bëjë llogaritë dhe pa Cikalleshin.