Derbi është ndeshja që ndez kryeqytetin. Sfida e dy rivalëve më të mëdhenj. Përballja e emocioneve, që nisin para se ekipet të zbresin në fushë, vazhdojnë gjatë 90 minutave intensive të lojës dhe zgjatin shumë më tepër pasi loja përfundon.
Derbi duhet të jetë edhe ndeshja e “bomberave”, yjet që shënojnë golin e fitores… por që në këtë rast mungojnë. Ecuria e pesë javëve të para të Kategorisë Superiore ka treguar se Tirana dhe Partizani vuajnë në fazën sulmuese.
Pesë gola në pesë ndeshjet e para për bardheblutë, në krahun tjetër, vetëm 4 rrjeta të realizuara nga Partizani. Te Tirana, golat kanë të gjithë autorë të ndryshëm. Nga Turtulli, te Hasani e Greca, ndërsa nga sulmuesit kanë festuar Blazhevski dhe 17-vjeçari Muçi.
Te Partizani situata është më alarmante, kur flitet për fazën ofensive. Katër golat e të kuqve në këtë start të sezonit mbajnë firmën e Mensah, Asanit, ndërsa ai që ka shënuar më tepër është mesfushori Bruno Telushi, që e ka gjetur rrugën e rrjetës dy herë.
Tirana dhe Partizani nuk do të jetë vetëm ndeshja e shumëpritur e kampionatit, por edhe prova e sulmuesve. Te Tirana mungon një lojtar si Elis Bakaj, lojtari që me tre gola ka shënuar më tepër për bardheblutë në vitet e fundit. Në anën tjetër, te Partizani ndihet mungesa e një elementi si Ekuban. Dy rivalët e mëdhenj janë ende në kërkim të sulmuesve që tërheqin ekipin dhe zgjidhin ndeshjet. Tifozët kërkojnë heronjtë e rinj të derbit…