Shtëpia e re e Kukësit po merr formën përfundimtare dhe sezonin e ri skuadra verilindore mund të luajë përsëri përpara tifozëve të saj. Presidenti i Nderit, Safet Gjici, tregon nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” fazën e punimeve në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Gjici bën me dije se së shpejti do të nisë montimi i ulëseve dhe ai i fushës, ndërsa thekson faktin se stadiumi do të plotësojë standartet europiane të UEFA-s dhe nuk do të jetë më e nevojshme endja nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë.
“Çdo gjë po merr formë në impiantin e stadiumit “Zeqir Ymeri” Kukës. Shumë shpejt nisë puna për montimin e ulëseve dhe fushës. Ecuria e punimeve po ecën me ritme shumë të shpejta! Stadiumi është një investim nga Qeveria Shqiptare dhe FSHF-ja.
Ekipi i Kukësit do të ketë stadiumin me kushtet sipas standardeve europiane dhe nuk do ta ndjejë nevojën për të “emigruar” në stadiumet e qyteteve të tjera si sezonin e fundit, duke vuajtur mungesën e tifozerisë kuksiane, e cila më pas ndikon edhe në arritjen e rezultateve të ekipit në fushë. E gjithë vëmendja për Ju! Të gjithë bashkë për Kukësin që Duam!”, shkruan Safet Gjici./Halit Delibashi-Sport Ekspres/