Shqipëria, në Luksemburg “pa sulm”!

 

Sadiku, Hyka dhe Llullaku pritet t’i bashkohen direkt në Stamboll, më 5 qershor, skuadrës kuqezi. Ndërkohë, trajneri prish një traditë që vijonte prej vitesh. Konfirmohet rikthimi i Kaçes

Trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi ka publikuar sot listën e kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e radhës, më 4 qershor (ora 19.00) në “Stade Josy Barthel” të Luksemburgut, në miqësore, si dhe një javë më parë, më 11 qershor (20.45), kundër Izraelit në “Sammy Ofer Stadium”, ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës. Lista ka pak risi, kthimi i Ergys Kaçes, siç ishte paralajmëruar prej ditësh në “Sport Ekspres”, ndërkohë që do të mungojë Bekim Balaj për dëmtim. Në kombëtare kthehet pas një mungese të gjatë edhe Ermir Lenjani, që këtë verë duhet absolutisht të gjejë klub të ri. Megjithatë, Lenjani mund të mos luajë për faktin se është pa minuta në këmbë dhe gjatë gjithë sezonit ka qëndruar në rolin e spektatorit.

Mungesat – Por, edhe pse në listën e publikuar në faqen zyrtare të trajnerit janë të pranishëm Cikalleshi, Sadiku, Hyka dhe Llullaku, fakti është që vetëm sulmuesi i aktivizuar në Turqi tek Akhisari mund të jetë i gatshëm për përballjen e datës 4 qershor ndaj Luksemburgut. Sa i përket Sadikut, Hykës dhe Llullakut, pritet që të bashkohen me ekipin në Stamboll, ku edhe do të kryhet mini-faza përgatitore për ndeshjen ndaj Izraelit, më 11 qershor, praktikisht vetëm me 6 ditë kohë, për ta përgatitur. Praktikisht, në testin që do të zhvillohet në “Stade Josy Barthel” do të kemi një Shqipëri eksperimentale. Ditën e djeshme, lojtarët kanë bërë vetëm seanca shlodhëse dhe sidomos hapje muskulore.

E veçanta – Ajo që ka rënë në sy më së shumti është fakti që Xhani de Biazi ka prishur një traditë që zgjaste prej shumë vitesh. Praktikisht, ka publikuar listën zyrtare në faqen e tij në internet, pa zhvilluar asnjë konferencë për shtyp. Ndërkohë, FSHF është kapur pak “ngushtë” nga ky fakt.

Lista e Shqipërisë

Portierë: Thomas Strakosha (Lacio), Alban Hoxha (Partizani), Orges Shehi (Skënderbeu)

Mbrojtës: Arlind Ajeti (Torino), Naser Aliji (Kaiserslautern), Berat Gjimshiti (Atalanta), Elseid Hysaj (Napoli), Mërgim Mavraj (Hamburg), Frederik Veseli (Empoli)

Mesfushorë: Migjen Basha (Bari), Ergys Kaçe (PAOK), Ledian Memushaj (Peskara), Ermir Lenjani (Renes), Burim Kukeli (Zyrih), Amir Abrashi (Frajburg)

Sulmues: Azdren Llullaku (Astana), Sokol Cikalleshi (Akhisar B.), Armando Sadiku (Lugano), Liridon Latifi (Skënderbeu), Eros Grezda (Osijek), Jahmir Hyka (San Hoze)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *