Igli Tare nuk ndalet. Drejtori sportiv i Lacios duket një magnet për shqiptarët. Dhe, pasi ra nga kategoria, Primavera e Lacios ka nevojë për fuqizime për t’u ringjitur sërish.
Përforcimi vjen nga Primavera e Empolit dhe bëhet fjalë për shqiptarin e lindur në Pistoia, Galip Arapi, vetëm 17 vjeç, mesfushor me cilësi të mira.
Lajmi u bë zyrtar në Ligën e Serisë A. Edhe pse i lindur dhe rritur në Itali, Arapi ka zgjedhur kombëtaren kuqezi.
Te Lacio do të gjejë portierin Marko Alia (18 vjeç) dhe mbrojtësin Serxho Kalaj (18 vjeç) që, ashtu si ai, luajnë me “shqiponjën”. Edhe sulmuesit Beli Lukaj (18 vjeç) dhe Progon Maloku (18 vjeç) kanë origjinë shqiptare.