Shqipëria U-16 ka marrë sot fitoren e tretë radhazi ndaj Luksemburgut në turneun “UEFA Development” që u zhvillua në vendin tonë përgjatë datave 9-14 prill.
Kuqezinjtë e vegjël triumfuan me shifrat 5-1 teksa morën një tre pikësh mjaft të rëndësishëm që i rendit në vendin e parë të grupit pas tre ndeshjesh.
Skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku e nisi ndeshjen me një formacion ndryshe nga dy ndeshjet e para, pasi sipas rregullores së këtij turneu, të gjithë futbollistët e grumbulluar duhet të aktivizohen në lojë.
Kësisoj, 11-shja titullare e kësaj sfide ishte: Jashari, Koleci (c), Bastari, Bakiu, Damini, Frashëri, Kashari, Vranici, Metaj, Krajka, Duro.
Shqipëria kaluan në avantazh që në minutën e 5-të të takimit, pas një autogoli të portierit kundërshtar që i dha avantazhin kuqezinjve, të cilët nuk kënaqen, por kërkojnë edhe golin e dytë.
Pas një loje të qetë nga të dyja krahët, një aksion i shpejtë i Devi Duros në minutën e 28-të nga e majta e fushës, i cili i jep një top të saktë Dejvi Metaj brenda zonës do të sillte dyfishimin e rezultatit, ndërsa tre minuta më vonë, Ergi Bastari do të realizonte edhe golin e tretë për kuqezinjtë, duke e mbyllur pjesën e parë me një rezultat dhe lojë të shkëlqyer e bindëse.
Në fraksionin e dytë të sfidës, kuqezinjtë e nisin mirë, duke ushtruar presion në zonën kundërshtare për të gjetur golin e katërt.
Luksemburgu realizon golin e vetëm të kësaj sfide në minutën e 62-të, me Bruno Giesteiran, por gëzimi zgjat fare pak në pankinën rivale, me Shqipërinë e Bulkut që gjen golin e katërt me Dejvi Duron një minutë më vonë dhe rrjetën e pestë me Dean Vranicin në minutën e 65-të.
Avantazhi i pesëfishtë i dha qetësi lojtarëve shqiptarë, të cilët luajtën më lirshëm minutat e mbetura të lojës. Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit e Shqipërisë U-16, që mori 9 pikë të plota në kë turne, duke fituar fillimisht ndaj Irlandës së Veriut (2-1), Perusë (3-0) dhe Luksemburgut (5-1).
Të gjitha ndeshjet u zhvilluan në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, nën organizimin dhe mbikëqyrjen e Federatës Shqiptare të Futbollit, që tregoi edhe njëherë seriozitetin dhe përkushtimin për të pritur turne të tillë zhvillimorë për futbollistët e moshave.