Kristian Panuçi, që nga momenti që ka ardhur në krye të Shqipërisë, ka menduar që media duhet të qëndrojë larg ekipit kombëtar. Gjithashtu është vënë re që formacioni është fshehur shpesh gjatë seancave stërvitore.
Prova të shumta dhe vetëm para ndeshjes, në analizën e zakonshme, lojtarët mësojnë se kush do të nisë nga minuta e parë. Gjithsesi disa piketa janë vënë, pasi italiani e ka shprehur se janë disa lojtarët që kanë nevojë për minuta.
Do i marrin në ndeshjen me Jordaninë, në mënyrë që të jenë gati për takimin me Izraelin pas katër ditës. Në ndeshjen e sotme, që nis prej orës 20:00, për portën favorit është Thomas Strakosha. Mbrojtja nuk mendohet të ketë dilema.
Gjimshiti dhe Mavraj në qendër priten titullarë. Hysaj në të djathtë është “Zot”, kurse në të majtë Lenjani duket se ka fituar pikë ndaj Binakut. Ky i fundit luajti në dy takimet e fundit me Izraelin dhe Skocinë.
Mesfusha pritet të përbëhet nga Basha, Xhaka dhe Memushaj. Por ekziston mundësia që Andi Lila, i cili u paraqit në konferencë një ditë më parë si kapiten i skuadrës, të aktivizohet nga fillimi. Për sulmin Balaj është favorit, kurse nga krahët mund ta mbështesin Grezda dhe Uzuni.