Shpëton Partizani, Adorjan zyrtarizohet në Irlandë

Më në fund, një lajm i mirë për Partizanin, sepse i tillë mund të quhet edhe ai i largimit të Kristian Adorjanit. Mesfushori Kristian Adorjan erdhi me bujë verën e shkuar te Partizani, që e mori në huazim nga Novara, si pjesë e procesit të dështuar të italianizmit me lojtarë italianë dhe Mark Julianon në stol.

Adorjan vinte nga një sezon jo i keq në Serinë B, ku me Novarën kishte shënuar 2 gola në 25 ndeshje dhe në moshën 25-vjeçare kishte motivim të madh për të treguar sa vlente. Megjithatë, askush nuk shkëlqeu te Partizani në pjesën e parë të sezonit dhe hungarezi nuk bënte përjashtim. Në dhjetor klubi i kuq e nxorri jashtë planeve të veta, edhe për shkak të pagës së lartë, por problemi është se kontrata e huazimit 1-vjeçar nuk prishej aq lehtë.

Novara i kërkoi me dëshpërim një sistemim dhe më në fund ia ka gjetur, sepse hungarezi do të shkojë në Irlandë, te Dundalku, skuadra nënkampione e vendit, që pas pak javësh do të nisë kampionatin. Hap pas në karrierë për Adorjanin, por të paktën do të luajë, ndërsa te Partizani ishte i djegur dhe digjte edhe arkën e klubit të kuq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *