Shpërthimi i Luftëtarit, përmbushet “profecia” e Likës

Presidenti Tavo ka premtuar të mbajë yjet, ndërsa sulmuesi Vasil Shkurtaj është “përforcimi” i parë dimëror. Ka entuziazëm në Gjirokastër

Gëzim Beqiri

Tri fitore radhazi e kanë të vështirë t’i bëjnë edhe skuadrat me pretendime për titullin kampion, por edhe Luftëtari, nga pikëpamja e lojës që zhvillon, nuk është shumë prapa tyre. Madje, në këtë moment ndoshta është mbi të gjithë. Fitoret me Kamzën dhe Kukësin në transfertë, si dhe ajo me Partizanin në Gjirokastër, e kanë katapultuar skuadrën e trajnerit Hasan Lika në renditje, duke e shkëputur nga zona e ftohtë. Kuptohet, asgjë nuk ka përfunduar, por ky Luftëtar meriton shumë më shumë se kaq. Morali tashmë ka ndryshuar mjaft pozitivisht dhe në vazhdim pritet një ekip edhe më i stabilizuar në rezultate. Nga kriza e përfolur para disa javësh, Luftëtari është tashmë 19 pikë, vetëm dy pikë më pak se një vit më parë, ndërsa ka shënuar më shumë gola se vjet, 18 ndaj 14 të epokës Milinkoviç.

LIKA – Pas shumë ndeshjesh, edhe kur kishte humbur, trajneri Hasan Lika kishte theksuar se nuk ishte shumë i shqetësuar, sepse kishte besim se rezultatet do të vinin. Ai bazohej te loja e skuadrës së tij, që herë për shkak të gjykimit dhe herë për mungesë fati, nuk arrinte të merrte atë që i takonte në fushë. Tani është shpërblyer për atë çfarë jep në fushë dhe po ngjitet gradualisht në vendin që i takon, duke përmbushur kështu “profecinë” e trajnerit Lika.

GRUPI – Misioni më i vështirë i drejtuesve të Luftëtarit është të ruajnë grupin e lojtarëve, duke ditur se për titullarë si Abazaj dhe Bregu ka shumë kërkesa në këtë moment nga skuadrat më të mira në vend dhe nga jashtë. Presidenti Tavo theksoi pas fitores në Kukës se do të bëjë gjithçka që t’i mbajë të gjithë, por kjo mbetet për t’u parë, sepse ofertat mund të jenë tunduese.

SHKURTAJ – Përforcimi i parë i merkatos së dimrit te Luftëtari mund të konsiderohet sulmuesi Vasil Shkuraj, i cili është pjesë e ekipit që në verë, por nuk mundi të federohej për çështje dokumentacioni. Tani kjo çështje do të zgjidhet dhe lojtari do të jetë gati për trajnerin Lika. Por gjirokastritët do të bëjnë edhe afrime te tjera, siç ka thënë vetë presidenti Tavo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online