Havier Maskerano është lojtari më me shumë ndeshje në kombëtaren e Argjentinës. 34-vjeçari ka përjetuar një karrierë shumë të pasur me ekipe të mëdha, ndërsa aktualisht luan në Azinë e largët, ku është pjesë e Hebeit.
Mesfushori, i cili vitet e fundit është aktivizuar si mbrojtës, ka bërë një rrëfim të gjatë për “Estudio Futbol”, ku tregoi për tre finalet e humbura me Argjentinën (një në Kuptën e Botës dhe dy në Kupën e Amerikës), si dhe për liderin Lionel Mesi.
Finalet e humbura – “Më pëlqen ta analizoj ndeshjen duke parë se kush ishte superior dhe jo duke parë rezultatin. Në të treja finale kemi qenë ne superiorë. Është e vështirë të flasësh kur ke humbur tre finale rresht dhe nuk ke fituar qoftë edhe asnjë. Është e vështirë ta shpjegosh.”
Lionel Mesi – “I kanë thënë gjithçka në këto dhjetë vite. Gjithashtu kanë thënë se edhe ka shkuar të luajë një miqësore për sponsorët. Kjo është krejtësisht e çmendur. Nëse është dikush që ka qenë gjithmonë me kombëtaren e Argjentinës, i cili ndihmonte gjithmonë shokët e skuadrës, i cili sillej ashtu siç ai ishte, një lider brenda grupit, ai është Lionel Mesi”, përfundoi Maskerano.