Shkumbini në grupin A, Isaj nuk e bën dramë: I shërben garës

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, në mbledhjen e ditës së premte vendosi të bënte edhe disa ndryshime në grupet e skuadrave të Kategorisë së Parë. Kështu, Iliria dhe Shënkolli, bazuar në kriteret e licensimit, janë kaluar në Grupin B.

Kjo ndodh për shkak se Iliria financohet nga Bashkia Krujë, që financon njëkohësisht edhe Kastriotin. E njëjta situatë edhe me Shënkollin, që financohet nga Bashkia Lezhë. Kjo bashki financon njëkohësisht dhe Besëlidhjen. Edhe para dy sezonesh këto ekipe kanë garuar në grupin B.

Kjo ishte arsyeja që Shkumbini do të luajë në Grupin A të Kategorisë së Parë në sezonin 2019-2020 dhe sekretari i klubit peqinas Astrit Isaj nuk e sheh si ndonjë problem diçka të tillë. “Për ne nuk ka ndonjë problem ky kalim, rëndësi ka që serioziteti i garës rritet në të tilla raste. Duke ju referuar sezoneve të kaluara, gara zbehej kur kishte përballje të skuadrave që administroheshin nga e njëjta bashki”, deklaron Isaji për SportEkspres.com.

Ndërkohë, në lidhje me fillimin e përgatitjeve të Shkumbinit, ai shtoi: “Duke qenë skuadër që administrohemi nga bashkia e Peqinit, zgjedhjet e 30 qershorit e sollën edhe këtë vonesë për nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri. Besoj se është punë ditësh, ndoshta në fundjavën tjetër skuadra e Shkumbinit do zbresë në fushë”.

AGRON KAJA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *