Shkulaku: Shoh seriozitet, rezultatet s’do na mungojnë

Mesfushori pogradecar flet pas firmës me Lushnjën: Drejtuesit e saj kanë shfaqur interes që sezonin e kaluar dhe më bindën të zgjidhja këtë ekip

Arjan Likja

Në kampin lushnjar në Pogradec, krahas intensitetit maksimal në stërvitje, nuk është lënë pas dore as merkatoja. Dy afrimet e fundit të verdhejeshilëve janë kryer në Pogradec, ku 24-vjeçari Hermes Shkulaku dhe dibrani Elvis Prençi kanë firmosur  kontratën 1-vjeçare me klubin myzeqar. Megjithatë, siç konfirmon sekretari i klubit, Irakli Zaka, mund të ketë  përforcime të tjera dhe shumë shpejt sportdashësit lushnjarë do të mësojnë surprizën e radhës. Hermes Shkulaku, pas 5 sezonesh me Pogradecin, ekipin mëmë, do të luajë në Superiore me fanellën e Lushnjës. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, mesfushori me tipare sulmuese shpreh kënaqësinë e të qenit pjesë e Lushnjës dhe premton maksimumin për tifozët e saj.

– Shkulaku, mund të na tregoni shkurtimisht karrierën tuaj të deritanishme, pasi sportdashësit lushnjarë nuk ju njohin mirë?

– Kam luajtur me ekipin Pogradecit, qytetit ku kam lindur dhe jetoj. Pasi kalova moshën 19 vjeç, drejtuesit e klubit më morën tek ekipi i parë. Në atë sezon Pogradeci ishte pjesë e Superiores dhe luajta në 4 ndeshjet e fundit. Më pas, për 4 sezone radhazi kam qenë pjesë e formacionit. Gjatë këtyre 5 sezoneve me ekipin e parë të Pogradecit nuk më janë ndarë dëmtimet, që më kanë kushtëzuar karrierën, por tani i kam lënë pas dhe jam plotësisht gati për aventurën e re.

– Cili është pozicioni juaj i preferuar, ku ndiheni më mirë në fushë?

– Këmba e preferuar është e djathta, por fatmirësisht i përdor të dyja. Trajnerët që kanë drejtuar Pogradecin, më kanë aktivizuar në të dy krahët e mesfushës, por edhe si sulmues të dytë, sipas nevojave të ekipit. Pozicioni im ideal është krahu i majtë i mesfushës, që më lejon të futem në qendër dhe ta godas portën me të djathtën.

– Pse pranuat pikërisht ofertën e Lushnjës?

– Interesimi dhe kontaktet e mia të para me drejtuesit e Lushnjës kanë qenë që në sezonin e kaluar, në mos gaboj, pasi ne i shkaktuam humbjen e parë në atë kampionat Lushnjës, në stadiumin “Roza Haxhiu”. Golin e fitores në atë ndeshje të bukur e kam shënuar unë. Më ka kontaktuar trajneri Artan Bano dhe më pas disa herë ndihmësi i tij Dritan Çuko. Ngjitja e Lushnjës në Superiore bëri që ta shoh me përparësi ofertën e këtij ekipi. Nuk e mohoj se nga disa oferta që kisha, u binda nga kjo e Lushnjës dhe vendosa të firmos për të.

– Çfarë ambienti keni gjetur te skuadra juaj e re, si ndiheni?

– Përshtypjet janë shumë pozitive në këto 2 ditë stërvitore me Lushnjën. E vlerësoj ambientin e ngrohtë, që më ka ofruar grupi i futbollistëve. Pjesa më e madhe e ekipit ka avancuar me nivelin fizik, pasi e ka filluar më parë fazën përgatitore. Gjithsesi, me ndihmën e stafit, do të marr ngarkesën e nevojshme për të fituar formën e duhur. Harmonizimi me grupin do kohën e vet, por besoj se do ta arrij shpejt. Mezi e pres të jem pjesë e formacionit të Lushnjës dhe të shijoj përkrahjen e tifozërisë së saj, që për mua është nga më specialet e futbollit shqiptar.

– Një parashikim për Lushnjën e Superiores, pjesë e së cilës tashmë jeni edhe ju?

– Them se është ende herët të bëj parashikime, sepse kam vetëm 2 ditë stërvitje te Lushnja. Ajo që mund të them për momentin është se shoh seriozitet dhe dëshirë në ekip për të marrë maksimumin në këto seanca stërvitore. Dhe aty ku punohet shumë, me seriozitet dhe profesionalizëm, rezultatet nuk mund të mungojnë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online