Shkarkimi i Panuçit dhe 96-vjetori i Flamurtarit, Kreshnik Çipi “zbret në fushë”

Pas ndeshjes me Turqinë, Kombëtarja shqiptare veç humbjes së rezultatit, ka humbur edhe trajnerin Kristian Panuçi. Ish-lojtari i Flamurtarit, Kreshnik Çipi, për SportEkspres.com deklaron se nën drejtimin e tij Kombëtarja nuk kishte filozofi loje dhe ai duhej të largohej më parë nga stoli.

Vlonjati analizon ndeshjen me Turqinë dhe kombëtaren në përgjithësi gjatë periudhës që u drejtua nga Panuçi, ndërkohë që ka edhe një mesazh për federatën në lidhje me trajnerin e ri. Nuk mund të mbetet jashtë diskutimit edhe Flamurtari, që sot feston edhe 96 vjetorin e krijimit.

SHKARKIMI I PANUÇIT
“Panuçi duhet të largohej jo vetëm për rezultatin e ndeshjes me Turqinë, por edhe sepse kombëtarja me të në pankinë nuk kishte shpresë. Ai ka dështuar edhe për mungesën e politikave të qarta nga ana e FSHF-së. Vetë italiani nuk e ka bërë mirë përzgjedhjen e elementëve dhe vendosjen e tyre në fushën e lojës. Për mua, është sa fajtor, aq edhe viktimë. Nuk dinte ta administronte skuadrën dhe elementët shumë të mirë që ajo ka”.

NDESHJA SHQIPËRI-TURQI
“Për mua ndeshja në tërësi nuk shkoi mirë për kombëtaren tonë. Në golin e parë ishte Gjimshiti që gaboi në pasimin e topit, ndërsa në golin e dytë mbrojtja u ça pa e markuar fare sulmuesin turk. Nga kombëtarja jonë ishte një lojë e rrënuar, aq sa nuk bëheshin dy pasime bashkë në organizimin e lojës. Na mungoi organizatori i mirëfilltë, ndërsa mesfusha e sulmi ishin shumë dobët. Cikalleshi e Sadiku nuk do t’i falnin rastet që humbi Balaj”.

E ARDHMJA E STOLIT TË KOMBËTARES
“Në fakt, ky rast si me Turqinë reflekton edhe defektet e futbollit tonë në tërësi, dhe të Superiores në veçanti. Kampionati ynë nuk prodhon futbollistë brez pas brezi dhe ky është defekt i madh. Për trajnerin e ri, unë mendoj që së pari duhet të caktohet një trajner me eksperiencë, jo një lojtar-trajner si Panuçi. FSHF-ja i ka patur të gjitha hapësirat që të gjente njeriun e duhur për stolin kuqezi, sikundër bëri Kosova me Shaland”.

96-VJETORI I KRIJIMIT TË FLAMURTARIT
“Është një moment historik për gjithë sportet në Vlorë, e natyrisht për futbollin që e bëri krenar edhe në Europë. Unë jam pjesë e kësaj historie 96-vjeçare dhe së bashku me brezim tim besoj se kemi dhënë një kontribut që sot në këtë histori të veçohet. Uroj të gjithë ata sportistë të Flamurtarit në vite që të festojnë sa më shumë përvjetorë, ndërkohë që futbollit vlonjat i uroj të kthehet në elitën e Superiores si pretendent. Një moment që jep shumë emocion për karrierën time”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *