Shifrat e dy fazave, njihuni me “të paprekshmit” e Laçit

Laçi e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në vendin e katërt dhe objektivi është pjesëmarrja në kupat e Europës. Gjatë dy fazave të para bardhezinjtë janë drejtuar nga tre trajnerë të ndryshëm. Kampionatin kurbinasit e nisën me Artan Mergjyshin në stol, për të vijuar me Migen Memellin dhe Besnik Prengën e rikthyer së fundmi.

Pavarësishte këtyre lëvizjeve, pesë prej futbollistëve të Laçit kanë gëzuar besimin e të gjithë trajnerëve. Ata i kanë luajtur të gjitha ndeshjet e dy fazave të para, madje tre prej tyre edhe pa u zëvendësuar.

Kapiteni Gentian Selmani, edhe pse ka pasur probleme dëmtimesh disa herë gjatë pauzave të kampionatit, i ka luajtur të plota takimet e deritanishme. Njëjtë ka ndodhur edhe me mbrojtësit Eglentin Gjoni dhe Abdurrahman Fangaj.

Regi Lushkja është gjithashtu një nga pikat e forta të kurbinasve dhe i ka luajtur të 18 ndeshjet e deritanishme si titullar, sikurse ka ndodhur me shënuesin më të mirë të bardhezinjve, Ndriçim Shtubinën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *