Andrij Shevçenko është një nga legjendat e Milanit dhe sa herë i kërkohet të flasë për kuqezinjtë nuk heziton. E bën diçka të tillë para takimit me Napolin, teksa përballë do të jenë Gatuzo dhe Ançeloti. Ish-sulmuesi, me të dy ka fituar shumë, ndërkohë që nuk mund ta ndajë dot se kush e do më shumë fitoren, Milani apo Napoli.
“E vështirë ta thuash, Napoli kërkon të fitojë që të mbetet pas Juventusit. Për Milanin gjithashtu është e rëndësishme për ta mbyllur kampionatin i katërti”, thotë Shevçenko në intervistën e dhënë për “Il Giornale” në Itali.
Përballja Gatuzo-Ançeloti merr vëmendjen më pas: “Xhenaro ka treguar se mund të luftojë edhe me mjeshtrat e mëdhenj, që në këtë rast është Ançeloti. Është një trajner që i pëlqen një lloj futbolli dhe e menaxhon grupin shumë mirë. Ekipet e tij luajnë mirë, pasi atij i pëlqen të gjejë ekuilibrin. Plus ai ka përvojë të madhe dhe jo rastësisht ka fituar gjithçka”.
I pyetur nëse mund ta kushtëzojë kualifikimin e Milanit në Champions largimi i Higuain, ukrainasi shton: “Milani mund të arrijë në Champions edhe pa të. Gjithsesi, me Higuain do të kishte qenë më e lehtë”.
“Piatek apo Higuain? Nuk ndryshon shumë. Të dy janë finalizues shumë të mirë. Higuain e ndihmon ekipin më shumë, por të dy janë në gjendje të shënojnë shumë gola. Njëri ka më shumë forcë fizike, tjetri ka më shumë shpejtësi. Higuain ka shkruar shumë faqe në historinë e futbollit, Piatek është një futbollist premtues që aktualisht e ka treguar atë që është në gjendje të bëjë”.
“A mund ta ndryshojë një penallti jetën e një sulmuesi?”, kjo ishte pyetja e radhës për Shevën, i cili në vitin 2003 shënonte nga pika e bardhë në fianlen e Champions-it dhe kthehej në hero për Milanin. Argjentinasi ndërkohë humbi një penallti kundër Juventusi dhe nga ai moment e ardhmja e tij te kuqezinjtë mori rrjedhë tjetër.
Për të mbetur te pyetja e bërë, tekniku i Ukrainës thotë: “E kush mund ta thotë këtë, që një penallti ndryshon jetën e një sulmuesi? Nuk e di se çfarë bëri që Higuain të futej në krizë. Gjithkush ka uljet dhe ngritjet e veta, por unë nuk e di çfarë ka ndodhur. Duhet të jesh brenda të kuptosh çfarë ka ndodhur. Unë jam larg prej vitesh dhe nuk e di çfarë ka ndikuar që ai të largohet. Të dy, edhe Bonuçi, e lanë Milanin, por e vetmja gjë që di, është që të veshësh fanellën e Milanit është një nder dhe gjithmonë duhet të konsiderohet si diçka e tillë”. Sheva ka folur edhe për tema të tjera më pas.
“Maldini dhe Leonardo për Milanin e madh? Absolutisht është zgjedhja e duhur, pasi ata përfaqësojnë Milanin e sotshëm dhe të ardhmen. Maldini është një garanci absolute”.
“Momenti i afirmimit të Kutrone? Ai është një lojtar që është që po i përdor më së miri mundësitë e dhëna. E njeh portën dhe sigurisht që do të dëgjojmë të flitet për të”, thotë Shevçenko për të riun, i cili është krahasuar me Inzagin për nga mënyra e lojës dhe shënimit të golave.
“Shembulli si trajner? Unë përpiqem të ndjek rrugën time, gjithashtu i frymëzuar nga të gjithë trajnerët që më kanë stërvitur. Drejtimi i një klubi? Tani për tani qëllimi im i vetëm është kualifikimi i Ukrainës në kampionatin europian. Kjo është gjëja që më intereson më shumë. Mund t’ia dalim. Nëse mendoj ndryshe, do të hiqja dorë nga puna”, tha mes të tjerash Shevçenko.