Regi Lushkja ka shijuar titullin e parë kampion me Sherifin e Tiraspolit. Vetëm pak muaj në radhët e moldavëve dhe mesfushori shqiptar ngre në duart e tij trofeun më të rëndësishëm në Moldavi. Ish-futbollisti i Laçit ka qenë i pranishëm në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, ku tregon më tepër rreth eksperiencës së tij të parë jashtë Shqipërisë.
“Mund të themi edhe me fat, sepse ekipi këtu është shumë i fortë dhe konkurenca nuk është shumë e madhe sa mund të jetë në Shqipëri. Është konkurenca e lartë për të luajtur, por në kampionat Sherifi ka diferenca të mëdha me ekipet e tjera. Kur erdha këtu isha në formën time më të mirë. Por kishte një periudhë pauze këtu në kampionat dhe konkurenca ishte shumë e vështirë. Nuk kam filluar akoma të jem titullar fiks. Këtu jam vetëm, por e kemi festuar titullin me shokët e ekipit. Shqiptarë të tjerë këtu nuk ka. Kalimi te Tiraspoli të shërbejë si një trampolinë? Këtë synoj edhe unë, ta kem si trampolinë. Por kryesorja është se unë si shumë lojtarë të tjerë e kam ëndërr Kombëtaren. “, ka deklaruar Regi Lushkja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/