Orges Shehi dhe Partizani, një binom i pandashëm për disa vite, të lumtura e të vështira, para se portieri i njohur të firmoste për Skënderbeun dhe tashmë este kthyer në korçar, pasi ka kaq vite në qytetin e serenatave, ku ka fituar trofe e respekt.
Sot para Partizani-Skënderbeu Shehi ka folur në “Gol pas goli”, duke u kthyer te koha kur luante për Partizanin, ndërsa ka folur edhe për çështjet e Skënderbeut me UEFA-n e FSHF-në.
‘Kam qenë pjesë e Partizanit për katër sezone, kam luajtur në dy kohë të ndryshme me të. Herën e parë humbëm me Dinamon, në këtë stadium, duke humbur titullin kampion. Ishte një nga momentet më të mira të karrierës. Pastaj periudha e dytë ishte shumë e vështirë, një skuadër e papaguar, por vendosëm të qëndronim. Fatkeqësisht humbëm ndeshjen me Kastriotin dhe ramë nga kategoria”.
Marrëdhëniet me tifozët e Partizanit dhe beteja për titullin e hequr para dy vitesh, që i është kthyer Skënderbeut: “Unë kam qenë një nga më të respektuarit nga tifozeria e Partizanit, kjo është detyra imë. Nuk jam shumë mediatik, por bëj shumë punë. Sa i përket kërkesës së titullit të dy viteve më parë, pavarësisht kush e kërkon, ai titull ishte që e meritonim dhe drejtësia u vu në vend”.
Ndërkohë, vazhdon beteja tjetër me UEFA-n dhe Shehi do të dëshmojë këtë javë në Apelin e UEFA-s.
“Kjo është një strategji nga ana e klubit. Unë do ta bëja me shumë kënaqësi, jam i gatshëm të shkoj të bëj rolin e dëshmitarit në Apel. Jam gati, pasi ato janë akuza ku nuk ka asgjë reale dhe të vërtetë. Unë personalisht do ta mbroja me të gjitha forcat djersën që kemi derdhur në fushë”.