Shehi: Me Kukësin është derbi, luftojmë për tri pikë më shumë

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi foli për mediat para ndeshjes kundër Kukësit, një rival shumë i vështirë. Për trajnerin e korçarëve, kjo ndeshje mund të quhet një derbi, duke parë rivalitetin që kanë pasur skuadrat për shumë vite. Në fjalën e tij, Shehi preku shumë tema, ku u shpreh:

BREGU – “Kemi rikuperuar vetëm Bregun dhe një javë më shumë pushim i bëri mirë. Por unë e kam theksuar dhe një javë më parë se personalisht doja të luaja para një jave. Megjithatë, vetëm koha që i është dhënë Bregut është faktori plus”.

KUKËSI – “Sigurisht që është një ndeshje që për nga rëndësia, janë të kota fjalët. Luajmë përballë një kundërshtari që ka qenë rivali jonë direkt prej shumë vitesh dhe mund ta quaj ndeshje derbi. Kemi nevojë për pikë dhe duhet të luftojmë përballë një skuadre me shumë cilësi”.

RENDITJA – “Vendi i parë është pak larg për mendimin tim dhe nuk mund të shohim vendin e parë kur kemi pengesa para nesh. Duhet të largojmë ato pengesa dhe më pas të shohim përpara. Ne do të synojmë të marrim sa më shumë pikë, pasi ky pozicion në tabelë nuk më kënaq. Kemi forca për t’u ngjitur më lart dhe ky pozicion nuk na shkon për shtat”.

NDESHJA – “Këtë ndeshje e bën të vështirë kundërshtari dhe objektivat. Është një ndeshje që i ka të gjitha vështirësitë brenda. Humbjet e ulin moralin në skuadër, nuk janë të mira, sidomos për një skuadër të re siç jemi ne. Jemi në periudhë tranzicioni, pasi nuk mund ta krahasoni Skënderbeun e këtij viti me atë të disa viteve më përpara. Ëshë Skënderbe i ri, por ndoshta mund të kishim marrë më shumë pikë. Ky është futbolli, çdo rezultat është në lojë”.

OBJEKTIVI – “Do të luftojmë për të qenë tri pikë më shumë kundër Kukësit, pasi kështu jemi brenda objektivave. Kemi hsumë mundësi për të ecur përpara dhe vijnë nga një moment i mirë. Duhet vazhdimësia, që është shumë kryesore”, përfundoi Shehi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *