Kapiteni kërkon ta mbyllë në mënyrën më të bukur të mundshme karrierën e tij fantastike. Sulmuesi nga Gambia po bën gjithçka që të jetë gati
Nesër Skënderbeu do të luajë finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Laçit, ndërkohë që dy ditë përpara se të luhet ky takim thuajse gjithë formacioni i Skënderbeut është gati. Me mungesën e Alitit (i grumbulluar nga Kosova) dhe rikthimin me shumë gjasa të Ali Soue në majë të sulmit, mund të themi që Skënderbeu nesër do të zbresë me titullarët që kanë pasur më shumë minuta në këmbë deri në këtë moment. Edhe pse në fakt Daja do ta vendosë vetëm nesër për titullarët, pas seancës së fundit stërvitore, mësohet se kapiteni legjendar Orges Shehi do ta ketë ndeshjen e fundit këtë finale në katërkëndor. Orgesi ka kohë që e ka deklaruar me gojën e tij se do të largohet nga futbolli i luajtur pas përfundimit të sezonit dhe fundi është pikërisht nesër. Ndoshta mund të kemi ndonjë çudi më tej në javët në vazhdim dhe nëse Skënderbeu luan në Champions mund të kemi edhe ndonjë sakrificë të fundit të Orges Shehit, por edhe kjo ka pak gjasa që të ndodhë, pasi Shehi është gati për t’i varur “këpucët në gozhdë”.
SOUE
Lajme më shumë se të mira ka pasur ditën e djeshme në kampin bardhekuq, teksa golashënuesi më i mirë i Superligës shqiptare, Ali Soue nja ka dalë për të qenë gati për të diel. Në fakt, prova gjenerale do të jetë sot, por dje në stërvitjen e radhës të Skënderbeut në Durrës, Daja e ka pasur në dispozicion sulmuesin nga Gambia. Kishte disa ditë që Soue nuk stërvitej me grupin, madje edhe në ndeshjen e fundit të Superligës ndaj Vllaznisë nuk u aktivizua asnjë minutë të vetme për shkak të dëmtimit në këmbë, ndërkohë që ajo që e ka “frikësuar” dje kryepankinën e Skënderbeut ka të bëjë me atë se cila është forma e lojtarit pas kaq ditësh pushimi. Kjo ka bërë që Ali Soue dje të mos stërvitej me 100% të mundësive të tij, që edhe pse ishte gati, Daja nuk ka dashur ta rrezikojë. Sot do të jetë prova e rëndësishme e lojtarit nga Gambia dhe nëse e kalon, atëherë nesër do të jetë në fushë nga minuta e parë. Gjasat janë të mëdha që Ali Soue në finalen e Kupës të jetë në fushën e lojës, por që gjithsesi fjala e fundit do të thuhet pas mbylljes së përgatitjeve për Kupën e Shqipërisë. Për sa u përket të tjerëve, nuk ka asnjë problem. Edhe Bruno Dita që pati një problem të vogël edhe ai është gati dhe infermieria përpara finales së Kupës te Skënderbeu është krejtësisht e boshatisur.
FORMACIONI
Ndërkohë që Shehi nesër është i sigurt që do ta nisë nga starti, në mbrojtje Vangjeli dhe Mici do të jenë dy krahët e Skënderbeut. Në qendër në mungesë të Alitit, Radas dhe Osmani janë dyshja e qendrës. Në mesin e fushës Bruno Dita duket se është gati për ta filluar nga fillimi dhe pranë tij Muzaka dhe Lilaj, janë dyshja tjetër që do të plotësojnë mesin e fushës. Për të kaluar në sulm, ku pas disa javësh do të shikojmë treshen e frikshme të sulmit korçar me Gavazaj në të djathtë e Xhejms majtas dhe në majë golashënuesin më të mirë të superligës, Ali Soue.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut (4-1-4-1)
Shehi – Vangjeli, Radas, Osmani, Mici – Dita, Gavazaj, Lilaj, Muzaka, Xhejms – Soue