Skënderbeu zhvillon sot një miqësore kundër Pobedës në Korçë. Ky takim do t’u shërbejë lojtarëve për të ruajtur ritmin para ndeshjes me Flamurtarin në kampionat. Trajneri Shehi nga ana tjetër do të mendojë për formacionin që do të zbresë në fushë kundër vlonjatëve.
Në mbrojtje durrsaku është i detyruar të bëjë ndryshime. Leonit Abazi u ndëshkua me karton të kuq në takimin me Laçin dhe nuk mund të luajë. Alternativat për atë pozicion nuk janë të shumta në kampin korçar.
Kalimi i Fidan Alitit në të majtë është opsioni më i mundshëm, duke bërë kështu që të ndryshojë edhe qendra e prapavijës. Kaba Sambou mund ta nisë titullar krah Marko Radas, kurse në të djathtë si zakonisht pritet të luajë Kristi Vangjeli. Për qendrën opsion është edhe Bruno Lulaj.