“Shehi e di mirë firmën në kontratë”! Kukësi do të shpëtojë nga Kupa? Trajneri kalon topin: Nuk jam zyrtar klubi

0

Si një lojë me pasime është bërë çështja e trajnerit Shehi te Kukësi, ku gjithëkush e di të vërtetën, por askush nuk e thotë prerë në daljet mediatike. Pak kohë dhe shumë presion për teknikun e ri të verilindorëve që duhej me patjetër të fitonte Superioren, ndërsa Tirana kishte nisur arratinë.

Sa herë që Safet Gjici është pyetur për një shpëtim të Shehit edhe nëse nuk arrin të fitojë kampionatin, përgjigja ka qenë e tillë: “Trajneri e di shumë mirë firmën që ka hedhur në kontratë dhe kushtet e vendosura atje”. I fiksuar për të fituar, madje edhe kur është e pamundur, presidenti i verilindorëve do e ketë të vështirë që t’i besojë edhe sezonin e ardhshëm timonin e skuadrës. Ndërkohë përpara ndeshjes me Teutën në Kupë, trajneri Shehi e ka kaluar topin kur flitet për shpëtimin e sezonit.

“Ndeshja ndaj Teutës është e rëndësishme, luajnë dy ekipe që janë sipër në tabelë dhe me ambicie. Ne e kemi përgatitur këtë ndeshje duke ditur edhe faktin se nuk mbaron nesër, por ka edhe ndeshje kthimi. Gjatë kësaj kohe kemi pasur ngarkesë të lojtarëve pasi janë zhvilluar shumë ndeshje me kalendar të ngjeshur, por jemi munduar ta freskojmë ekipin. Siç thashë dhe më parë duhet të kemi ekuilibër ndaj Teutës dhe të jemi të kujdesshëm dhe të punojmë mirë në aspektin mbrojtës dhe sulmues. A është shpëtim i sezonit Kupa? Shikoni, unë jam trajner dhe ju flas vetëm për anën teknike. Detyra jonë është të fitojmë ndeshjet dhe pastaj nëse na shpëton sezonin apo jo Kupa, nuk jam zyrtar i klubit që t’ua them. Do të luftojmë derisa të mos na lejojë matematika, sidomos në kampionat”, tha Shehi. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.