U mendua se fitorja kundër Laçit i dha fund krizës së Skënderbeut, por ekipi korçar u mposht sot në Vlorë dhe ka zbritur në vendin e gjashtë. Orges Shehi ka analizuar disfatën kundër Flamurtarit në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Trajneri i Skënderbeut ndalet dhe te rasti i pabesueshëm i Oto Xhon, i cili i hoqi mundësinë ekipit të tij të barazonte ndeshjen, shpjegon lëvizjet taktike gjatë ndeshjes dhe nuk ka koment për golin e parë të pësuar.
OTO XHON – “Të vjen keq, sinqerisht të vjen keq të humbësh këtë ndeshje. Kundërshtari na vuri në vështirësi në 30 minutat e para. Marrim gol nga një trajektore shumë gjatë, ndërsa një gol na u anulua në vijë fatale. Edhe Oto Xhon më tha pas ndeshjes se nuk e kupton pse e preku. Çfarë të bëj unë tani? Ta kryqëzoj Oto Xhonin? Nuk e kuptoj pse u desh ta prekte atë top, ndoshta donte që goli të ishte në emër të tij. Nuk e di ça të bëj. Edhe golin që pësuam ishte thuajse komplet i evitueshëm, por i ka futbolli këto dhe ndeshja mbaroi.”
TAKTIKA – “Përsa i përket ndërrimeve, kanë qenë zgjedhje të mia. Nuk po bënim mirë në pjesën e parë dhe futa dy lojtarë në pjesë të dytë, duke ndërruar modul ne 4-4-1-1. Ishin ndërrime që i bëra për vazhdimësinë e lojës. Një dalje e Dajsinanit në kohë mund ta kishte evituar golin. Më vjen keq, pasi qëndruam mirë në 30 minutat e para. Por morëm një gol që nuk e di çfarë të them. Pas golit, kishim raste, siç te rasti i Perivan. Si dhe goli i Otos, që e shpjegova dhe pak më parë.”
KAS – “Sigurisht që të vjen shumë keq kur humbet ndeshje të tilla, nga episode ku duhet të jemi të përqendruar. Nuk mendoj se KAS-i ndikon te Oto Xhoni. Ai u tregua paksa egoist. KAS-i nuk ka lidhje fare me pësimin e golave. U kthyem te fitorja kundër Laçit dhe kjo ndeshje është për të ardhur keq, pasi kemi bërë lojë shumë të mirë. Stërvitja bëhet në kushte të mira dhe KAS-i nuk ndikon fare. Lojtarët e kanë karrierën shumë të gjatë dhe duhet të përqendrohen të bëjnë maksimumin.”
LOJTARËT E HUAJ – “Kemi shumë vështirësi dhe sot e pamë që vumë Ditën në qendër të mbrojtjes, për të mos plotësuar numrin e lojtarëve të huaj. Jemi të kushtëzuar edhe në ndërrime, pasi i bëjmë për shkak të lojtarëve të huaj. Nuk i bëjmë dot as ca ndërrime kokë më kokë. Sa i takon Radasit, mendova të mos e ndryshoj formacionin kundër Laçit. Si në fushë, si jashtë fushe, Radas është krahu im i djathtë. Në ndeshjen tjetër, mund ta fillojë titullar, por nuk mund ta djegim ndeshjen për shkak të lojtarëve të huaj.”