Shameti: Penalltia, të sheh Zoti!

0

Mbrojtësi ekspert i Kukësit, Ylli Shameti, shënoi golin vendimtar në Laç, shkaktoi 11-metërshin që humbi Eskerda dhe për pak shënoi autogol në fund. Njeriu i ndeshjes, në çdo drejtim, por gjirokastriti proteston dhe kundërshton penalltinë kundër tij.

“Mënyra si erdhëm në këtë ndeshje nuk ishte pozitive, psikologjikisht nuk ishim mirë, nga hapat e gabuar në ndeshjen e fundit. Nuk ishte e lehtë, ndaj një rivali si Laçi, në një fushë ku ndaj Kukësit ka pasur gjithnjë një lloj tensioni deri diku sportiv.

“Nuk luajtëm shumë mirë, kundërshtari humbi shumë raste dhe folëm me çunat pas ndeshjes, duke iu kënaqur fitores, por ndërkohë kemi shumë për të korrigjuar. Nuk duhet të bëjmë kaq shumë gabime në aspektin mbrojtës, sepse në të ardhmen nuk na falen gabimet.

“Penalltia? Ishte një kros, topi më preku në dorë dhe unë nuk e pashë fare. Distanca ishte e vogël, kundërshtari e kapi topin dhe e pasoi direkt, duke e çuar pa dashje në dorën time. Nuk mund ta evitoja prekjen, as e pashë topin fare kur kaloi nga kundërshtari. Protestova, isha dhe jam i bindur që nuk ishte penallti, ia thashë edhe trajnerit Meta. Pas penalltisë së humbur, i thashë që “Ka një Zot që sheh”.

“Ekipi i vitit të shkuar ishte më i mirë? Për ata që kanë ikur, është marrëdhënia e lojtarëve me presidencën dhe dihet që kështu funksionon. Ka mbetur një pjesë e madhe e lojtarëve nga sezoni i shkuar. Pjesa e Zeqirit ëstë marrëdhënies mes tij, stafit drejtues dhe presidentit. Ne vit pas viti duhet të mundohemi të bëjmë punën tonë dhe të arrijmë objektivat e vendosur në fillim të sezonit, pjesa tjetër nuk na përket ne, por stafit dhe drejtuesve”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.