Shaland sfidon Azerbajxhanin: Pse të mos kualifikohemi ne?!

Kosova ka zbarkuar në Baku dhe është gati për ndeshjen e parë në Nations League kundër Azerbajxhanit. Skuadra e drejtuar nga Bernard Shaland beson se mund t’ia dalë, edhe pse luan në transfertë.

“Përballemi me skuadrën më të fortë në grup, por nëse kundërshtarët tanë kanë ambicie për t’u kualifikuar, pse të mos kemi edhe ne. Jemi skuadër e re, por me lojtarë të mirë. Përmes lojës sonë do të përpiqemi të marrim rezultat pozitiv.

Kosova është një vend i veçantë, ka shumë lojtarë cilësorë. Në ndeshjet e fundit e kemi përmirësuar shumë lojën tonë. Kam besim se do të marrim rezultat të mirë”, është shprehur trajneri zviceran i Kosovës para mediave.

Dardanët nuk e kanë grupin të plotë, por Shaland beson se ata që janë të gatshëm mund të zëvendësojnë ata që mungojnë.

“Mungesat e Besar Halimit dhe Valon Berishës ndikojnë, por ne kemi lojtarë të tjerë kreativë që do të na ndihmojnë. I njohim edhe cilësitë e kundërshtarit, por ne kemi besim se do të marrim rezultat të favorshëm”, ka përfunduar Shaland. Kosova është pjesë e Grupit 3 në Ligën D të Nations League.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *