Kosovës i duhet vetëm 1 pikë me Azerbajxhanin të martën në mënyrë që të sigurojë vendin e parë në grupin e trete të Ligës D. Fitorja me Maltën në transfertë tregoi se skuadra është në gjendje fantastike, pasi shënoi 5 herë, por si gjithnjë trajneri Bernard Shlanad preferon që të qëndrojë me këmbë në tokë.
Pas ndeshjes, në “Supersport” tekniku zviceran theksoi se e dinte që në fillim që do të ishte finalja për këtë grup. Trajneri Shaland e pranon se skuadra luajti mirë, por duket qartë që ai ka nisur që tani të mendojë për takimin e fundit dhe më të rëndësishëm.
“Jam shumë i lumtur me fitoren. Malta luajti mbrojtje të mirë dhe në pjesën e parë shënuam vetëm njëherë. Kishim disa mundësi ta vulosnim ndeshjen që në pjesën e parë, por nuk konkretizuam. Pjesa më e mirë ishte që ishim më të përqendruar se në Prishtinë”.
“Në pjesën e dytë Malta luajti një futboll pak më të mirë se në pjesën e parë. Megjithatë pasi shënuam golin e dytë, ne e kishim shumë më të lehtë. Ishte e rëndësishme që shënuam pesë gola pasi nuk duhet të shpërdorojmë raste si kemi bërë ndeshjet e kaluara”.
“Sa i përket ndeshjes me Azerbajxhanin e dija që në fillim se ajo do të jetë finalja. Ata kanë skuadër të fortë me disa lojtarë të mirë. Ata kanë ëndrrën gjallë dhe mund të rrezikojnë. Ndeshja në Prishtinë do të jetë shumë interesante”.