Në të shkuarën ka luajtur në Superiore dhe binte në sy për shpejtësinë e tij, por nuk qëndroi gjatë. Flasim për anësorin Bunjamin Shabani, i cili sezonin e ardhshëm do të luajë në Armeni. Me të kuqtë e drejtuar asokohe nga Shpëtim Duro, 27-vjeçari u aktivizua në 18 ndeshje. Vetëm 6 prej tyre i nis nga minuta e parë.
Në verën e vitit 2015 u rikthye në Maqedoni dhe për dy sezone luajti me Renovën, kurse më pas kaloi te Shkupi. Vjet zhvilloi një kampionat të mirë: 29 ndeshje dhe katër gola të realizuar. Pasi i përfundoi kontrata vendosi të provonte një aventurë të re.
Tashmë ka nënshkruar në Armeni me FC Shirak, klub që shpallej kampion në rast se nuk do t’i ishin hequr disa pikë për shkak të mosplotësimit të kushteve të licencimit. Shabani ka nënshkruar për një vit dhe nëse bën mirë, atëherë mund të nënshkruajë një kontratë edhe më të mirë.