Sezoni i mirë në Bundesligë, kontratë e re për shqiptarin

Volfsburgu nuk ka ngurruar t’i ofrojë kontratën e re dhe Elvis Rexhbecaj ka pranuar të nënshkruajë deri në vitin 2023. Mesfushori me origjinë shqiptare, i cili ende nuk ka vendosur se më cilën kombëtare do të luajë, që prej moshës 12-vjeçare është pjesë e “ujqve” dhe ndihet në borxh ndaj tyre për atë që ka bërë në karrierë deri më tani.

“I detyrohem gjithçka Volfsburgut në aspektin sportiv. Këtu kam pasur mundësinë të zhvillohem në nivele të larta dhe në kushtet më të mira. Volfsburg prej shumë kohësh është kthyer në shtëpi për familjen time dhe mua. Kështu që ishte e qartë se doja të zgjasja kontratën këtu dhe të bëj më mirën time”, është shprehur mesfushori për faqen zyrtare të klubit.

Të kënaqur janë edhe në klub që Rexhbecaj ka nënshkruar me ta kontratën e re. Marsel Shafer, drejtori sportiv i Volfsburgut, ka folur gjithashtu pas hedhjes së firmës dhe është i kënaqur me punën që mesfushori ka bërë. Në klubin gjerman madje presin edhe më shumë nga Rexhebecaj.

“Elvisi është zhvilluar shumë në vitet e fundit dhe mbi të gjitha ka punuar në mënyrë konstante për të kapërcyer nga të rinjtë në Bundesligë, gjithmonë pa e humbur fokusin nga gjërat e domosdoshme që duhen në futboll. Ai punon shumë, është i etur të mësojë dhe ende mund të zhvillohet akoma më shumë. Prandaj jemi të kënaqur që do të vazhdojmë rrugëtimin së bashku”, ka deklaruar Shafer.

Rexhbecaj këtë sezon është aktivizuar në 23 ndeshje në Bundesligë, 12 prej të cilave i ka nisur si titullar. Mesfushori ka arritur të provojë edhe shijen e golit dhe e ka bërë diçka të tillë në një ndeshje ndaj Shalkes, që Volfsburgu e ka humbur me rezultatin 2-1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *