Një sezon për tu harruar ka qenë ky i këtij viti për Partizanin. Të kuqtë vinin me petkun e kampionit, por tashmë kur jemi vetëm një javë larg përfundimit të Superiores kryeqytetasit nuk kanë arritur të igurojnë as një vend në zonën europiane. Në një intervistë për “SuperSport“, sulmuesi i Partizanit, Jurgen Bardhi, e quan të dështuar këtë sezon. Por pavarësisht kësaj për vitin e ardhshëm talenti i kuq ka ambicie të larta dhe shprehet se do të shpallen kampion. Ndërkaq Bardhi thekson edhe faktin se ka sakrifikuar shumë për Partizanin, duke qenë se nuk luan në pozicionin e tij natyral.
“Më vjen shumë keq për këtë vit. Ne në fillim pretendonim për kampion, pastaj Europën sikur e kishim të siguruar dhe erdhi puna që nuk e kapëm dot. Sinqerisht, një vit që mua për vete më vjen shumë keq. Ndihem shumë i zhgënjyer.
Unë në fakt kam sakrifikuar shumë. Po ta marrim që që nga fillimi te Partizani edhe me Shpëtim Duron më ka marrë për 10-ësh. Por pamundësia për të luajtur, sepse Partizani gjithmonë ka pretenduar për kampion, më sajonin sa në krahë të djathtë sa në krahë të majtë. Pastaj më futën pykë dhe nuk është roli im që të jap 100%. Unë gjithmonë kur jap më të mirën jam ose 10-ësh, ose në krahë të majtë. Nuk nuk je në një rol tëndin nuk e jep atë që duhet.
Sezonin tjetër jemi kampion. Që fëmijë kam dashur të jem i pari gjithmonë si në stërvitje apo në jetë. Nuk e pranoj humbjen, kështu që ky vit është dështim, por viti tjetër synojmë të jemi kampion”, ka thënë Jurgen Bardhi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/