Armando Sadiku vazhdon të mos jetë i gatshëm për Kristian Panuçin dhe as në stërvitjet e djeshme s’është shfaqur në fushën e lojës. Madje, grykët vazhdojnë ta shqetësojnë, saqë natën e parë ka bërë edhe serume, teksa ka pasur raste që i vinte për të vjellë. Motivi? Grykët! Sulmuesi, pas mbrëmjes së parë, ose më saktë, stërvitjes së parë, është ftohur. Shkak mund të ketë qenë edhe kondicioneri i përdorur në dhomë. Ndërkohë, dje në konferencë ka shfaqur debolesë, madje edhe në zë. Jo vetëm kaq, por teksa Hysaj ishte me mëngë të shkurtra, ai mbante veshur tutën, teksa vera ende s’ka mbaruar. Ndoshta, ethet mund të ishin rreziku. Sadiku ka qëndruar në dhomë dy ditë, teksa vetëm në hollin e katit ka bërë disa dalje, më shumë për t’u ajrosur. Mjekët i kanë qëndruar në kokë , por sërish rikuperimi i tij është thuajse i pamundur. Megjithatë, duke qenë në letër një ndeshje më e lehtë, forfait ndaj Lihtenshtejnit nuk do të ndikojë edhe aq shumë, teksa në vend të tij është menduar Llullaku nga Panuçi, të paktën nga indikacionet e fundit.