“Gardiani” pranë firmës me kuqeblutë. Shkodrani projektohet titullar edhe për sezonin e ri
I vetmi futbollist në listën e titullarëve të skuadrës kuqeblu që akoma nuk ka firmosur është portieri Erind Selimaj. Nga sa është bërë e ditur edhe më parë, mungesa e firmës së e tij për skuadrën kuqeblu ka pasur dy këndvështrime. Që herët, pa nisur përgatitjet në Shkodër për sezonin e ri futbollistik, gardiani shkodran pati deklaruar në “Sport Ekspres” që dëshira e tij është për të vijuar bashkëpunimin me Vllazninë, por në këtë mes ka pasur edhe kushtet e tija duke pretenduar t’i besohej ruajtja e katërkëndorit kuqeblu duke qenë kështu portier titullar i formacionit.
Ndërkohë, një tjetër argument që në një farë mënyre e ka penguar hedhjen e firmës së Selimajt deri më tani ka qenë edhe hezitimi që drejtuesit kanë pasur në aspektin financiar për të shpërblyer portierin shkodran. Kjo, sepse për vendin e titullarit ka tjetër shifër dhe për atë të zëvendësuesit normal që ka tjetër shifër. Për këtë aspekt ka luftuar fort edhe vete Selimaj i cili ka kërkesat e tij. Një gjë të tillë, pra atë të postit të titullarit që i garanton edhe shifrat më të majme financiare në kontratë, gjatë kësaj periudhe duket se ai e ka pasur të siguruar, gjithnjë duke pasur presionin dhe ngacmimin e të riut Alen Sherri që në skuadër konsiderohet portier i dytë. Por, ndërkohë, gjatë të gjithë fazës përgatitore, në skuadër kanë mbërritur sistematikisht portierë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, por pas testimit të gjithë janë larguar duke mos bindur se bëjnë diferencën me Selimajn. Në të tilla kushte, koha duket se ka punuar në favor të Selimajt, pasi drejtuesit kanë hequr dorë nga tentativat e tyre për t’i gjetur një kundërshtari atij për vendin e titullarit. Këtë e tregon edhe fakti se të paktën në ditët përgatitore malazese që po zhvillohen në Berane nuk ka mbërritur asnjë portier tjetër.
Të vetmit futbollistë në provë, janë atje që prej ditës së enjte, janë dy futbollistë të huaj, Randi Onuoha dhe Karlo Kesinoviç, i pari nigerian dhe i dyti kroat që po testohen për llogari të repartit të mbrojtjes. Në të tilla kushte, portieri Erind Selimaj është drejt rinovimit zyrtar, gjë të cilën e ka pranuar edhe vete gardiani shkodran, i cili pas bisedës me administratorin Astrit Gjyrezi ditën e djeshme, duket se ka arritur marrëveshja sipas kushteve të tija. Gjithnjë sipas vete Selimajt, por nën të njëjtën kohë edhe të burimeve brenda klubit kuqeblu, hedhja e firmës në kontratë për portierin shkodran do të bëhet menjëherë pas kthimit të Vllaznisë në Shkodër, gjë që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme. Lajmi në fjalë ka gëzuar, por edhe qetësuar, jo vetëm Selimajn, por në të njëjtën kohë edhe skuadrën së bashku me drejtuesit teknikë, sepse me këtë rast merr zgjidhje edhe një nga pikat më të diskutueshme, por edhe shumë të rëndësishme të formacionit kuqeblu për sezonin futbollistik 2017-2018.