Selimaj dhe Krymi, ende pa firmë

Tek Vllaznia janë zyrtarizuar tre blerje të reja, por në fakt nuk janë mbyllur kontratat me dy nga pikat më të rëndësishme të formacionit të Cungut

Gaspër Marku

Ndryshe nga sezonet e kaluara, këtë herë duhet pranuar se Vllaznia ka qenë aktive në merkaton verore. Sepse me firmat e nigerianit Orelesi, apo më parë dhe të Hasanit dhe Likës ka shkuar në tre numri i ardhjeve të reja në skuadrën e Armando Cungut. Janë tre lojtarë që për pozicionet ku luajnë e kanë zbukuruar formacionin shkodran. Ndërkohë, duke pasur parasysh deklaratat e drejtuesve të klubit Vllaznia se janë në pritje edhe të futbollistëve të tjerë cilësorë, forca e kuqebluve për këtë sezon pritet të jetë shumë më ndryshe se sa ajo e vitit të kaluar. Megjithatë, ndërsa vijohet me firmosje të futbollistëve cilësorë të ardhur në skuadër, nga ana tjetër duket se kuqeblutë kanë edhe një problem jo të vogël të pa zgjidhur. Bëhet fjalë për dyshen titullare, Erind Selimaj dhe Ardit Krymi, të cilët akoma nuk kanë firmosur zyrtarisht me klubin.

Selimaj

Erind Selimaj dhe Alen Sherri janë dy portierët shkodranë që vazhdojnë të stërviten çdo ditë rregullisht me skuadrën kuqebu. Portierë që, duke u nisur edhe nga vlerat që kanë, drejtuesit i kanë të programuar si pjesë të skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Megjithatë, gjatë ditëve të mëparshme, në Shkodër kanë mbërritur edhe portierë të tjerë të huaj për provë. Një gjë e tillë nuk është se është pritur mirë nga dyshja e katërkëndorit kuqeblu, Selimaj-Sherri, sidomos nga ky i pari që pretendon të vijojë titullarë aty ku e la në mbylljen e sezonit të kaluar. Pikërisht për këtë problem, Selimaj është parë të komunikojë afër me trajnerin e portierëve Avenir Dani, si dhe drejtorin sportiv, Eugen Zeka. Ata, nga sa është mësuar, i kanë bërë me dije gardianit kuqeblu që të vijojë punën i qetë, sepse ai gëzon respektin dhe besimin e stafit teknik për ruajtjen e portës. Gjithsesi drejtuesit kanë sqaruar se ardhja edhe e një portieri cilësor do ta plotësonte treshen zyrtare të gardianëve duke i dhënë edhe më tepër konkurrencë sektorit në fjalë.

Selimaj e Sherri kanë vijuar dhe vijojnë të bëjnë punën e vetë, ndërkohë që portierët e ardhur në provë, të paktën katër prej atyre në provë, janë kthyer mbrapsht. Pasi Selimaj dhe Sherri nuk kanë ndërmend të hapin rrugë duke pretenduar që ato të dy të jenë alternativa kryesore e Vllaznisë në këtë sezon futbollistik. Ajo që përbën interes ka të bëjë me faktin se portieri Erind Selimaj është akoma pa firmë. Një pozicion i tillë nuk është aspak komod, jo vetëm për portierin, por edhe për vete klubin, pasi ditët po kalojnë dhe një lëvizje surprizë e Selimajt për në skuadrat e tjera, brenda dhe jashtë vendit, mund të prishte jo pak punë skuadrës. Selimaj është gati për rinovim, por për drejtuesit akoma nuk është e qartë, ndoshta edhe mënyra e përgatitjes së kontratës, pasi janë në një farë në dileme, nëse Selimaj do të jetë i parë, apo i dytë në ruajtjen e katërkëndorit kuqeblu. Kjo nuk është gjë e vogël, pasi nga pozicioni në fjalë varet edhe shuma financiare që shoqëron kontratën zyrtare.

Krymi

Edhe për Krymin, në një farë mënyre, duket se paraqitet e njëjta situatë. Edhe pse i ri në moshë, besimi që iu dha për të qenë shumë shpejt titullar në fushën e lojës ishte i madh dhe duhet vlerësuar. Madje me formën e mirë sportive, këmbënguljen, grintën dhe shpirtin e lartë të garës që e karakterizon atë në fushë, Kruymi është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm për kuqeblutë. Me të tilla parametra vazhdon ta promovojë tekniku Cungu edhe për sezonin e ri futbollistik. Një mesfushor shkatërrues, që ka peshën e vetë të padiskutueshme në fushën e lojës, me të cilin Vllaznia është më e sigurt në ballafaqimet me kundërshtarët e saj. Ashtu si edhe një pjesë tjetër e kontingjentit të skuadrës, të cilët kanë pasur pretendimet e tyre në rinovimin e kontratave, edhe Krymi e ka pasur një pretendim të tillë.

Krymi ka pasur rastin të takohet disa herë me drejtuesit, drejtorin sportiv Zeka dhe adminitratoritn Gjyrezi, me të cilët kanë disi dakord. Megjithatë, firma zyrtare mungon edhe për Krymin. Dhe kjo nuk është se nuk përbën problem për skuadrën dhe teknikun Cungu, pasi, ndërkohë që pretendon të forcojë skuadrën me element të tjerë cilësor, një luhatje qëndrimi apo jo të Krymit, apo dhe të Selimajt, do të turbullonte ujërat. Përgjithësisht, në parim, drejtuesit mendojnë se i kanë të tyret, si njërin, ashtu edhe tjetrin. Por përderisa mungon firma, situata nuk është se qëndron edhe shumë OK mes dy palëve. Ndaj të dy palët pritet të mbyllin marrëveshjet në mënyrë që nisja për në fazën përgatitore jashtë vendit ta gjejë skuadrën sa më të kompletuar në të gjitha aspektet organizative.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *