Seku Kamara, “selam” Teutës: Jemi Flamurtari!

Sulmuesi anësor i vlonjatëve është i kënaqur me aventurën e tij në Vlorë dhe tregon haptazi objektivin e kuqezinjve në sfidën me kryesuesit nga Durrësi

Elton Nika

Seku Kamara, ashtu si bashkëkombësi i tij Lansinet Sidibe, mbërriti këtë verë në Vlorë pas një paraqitje të jashtëzakonshme me Besëlidhjen e Lezhës. Padyshim aktivizimi në Lezhë ra në sytë e drejtuesve të Flamurtarit, të cilët nuk nguruan ta bënin pjesë të ekipit së bashku me Sidibe. Kamara bëri paraqitje mjaft të mira gjatë fazës përgatitore, ndërkohë që në ndeshjen e parë në Korçë hyri zi zëvendësues ndaj Skënderbeut, kurse ndaj Lushnjes ishte titullar.

Kështu pritet të ndodhë edhe ndaj Teutës, pavarësisht se trajneri Duro formacionin titullar do ta përcaktojë vetëm pas seancës së fundit stërvitore ditën e sotme. Lojtari ka humbur një rast të mirë përballë Lushnjes, por tashmë beson te goli e mbi të gjitha te rezultati pozitiv edhe në Durrës.

“Duhet të jemi të kënaqur me fitoren ndaj Lushnjes, por mbi të gjitha për mbështetjen e tifozëve tanë në këtë takim. Edhe pse nuk luanim në fushën tonë, mbështetja nuk ka munguar gjatë gjithë 90 minutave, madje edhe kur ishim në disavantazh. Kemi marrë fitoren e parë të kampionatit dhe kjo ishte mjaft e rëndësishme pas humbjes në Korçë. Ndaj Lushnjes kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Luajtëm me një lojtar më pak, por kjo nuk na ka penguar, duke përmbysur gjithçka. Tani duhet të mendojmë për vazhdimësinë, pasi përballja e radhës është në transfertë ndaj Teutës, një skuadër që ka vlerësimin maksimal tonin, pasi ka fituar dy ndeshjet e para dhe mbi të gjitha vjen me moral të lartë. Gjithsesi duhet kuptuar një fakt shumë i rëndësishëm: ne kemi ambiciet tona për këtë takim dhe jemi Flamurtari. Në çdo ndeshje luajmë për të marrë maksimumin. Ndaj Skënderbeut kemi zhvilluar 45 minuta mjaft të mira dhe mund të kishim shënuar një ndeshje ku rezultati mund të ishte ndryshe sot. Gjithsesi, nuk duhet të shohim çfarë kemi lënë pas, por vetëm të hedhim vështrimin përpara. Ajo çfarë ne mendojmë si skuadër është vetëm ndeshja e radhës dhe asgjë më shumë se kaq. Tani është Teuta dhe pasi të kemi kaluar këto 90 minuta, do të shohim për sfidën tjetër. Do të kërkojmë maksimumin në këtë sfidë. Siç e thashë edhe më lart, e respektojmë Teutën, por do të kërkojmë rezultat pozitiv, pse jo edhe fitoren. Ndeshjet me Teutën kanë qenë gjithmonë me rivalitet dhe kështu do të jetë edhe ditën e diel. Duhet t’u dhurojmë një tjetër kënaqësi sportdashësve tanë. Goli im? Ndaj Lushnjes tentova dhe pata mundësinë, por ndoshta vjen këtë javë. Nuk e kam problem, rëndësi në këtë moment më shumë se goli im mbeten pikët e Flamurtarit. Ato janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër. Dëshira ime? Të arrijmë këtë sezon objektivin e skuadrës dhe klubit, e pse jo të qëndroj sa më gjatë në Vlorë te Flamurtari”, deklaron Kamara.

Formacioni, Duro projekton ndryshimet
Flamurtari vijon me ritëm përgatitjet për Teutën, ndërsa skuadra ka zbritur pasdite për seancën e radhës stërvitore në fushën e pyllit të Sodës. Trajneri Duro është duke menduar edhe formacionin titullar, që pritet të hedhë në fushë ndaj durrsakëve. Krahasuar me përballjen e një jave më parë, pritet të ketë ndryshime, kjo ndikuar edhe nga pezullimi i Bicajt, por edhe mungesat prej dëmtimeve. Braziliani Zhufo duhet pritur deri në fund, por gjasat që braziliani të jetë gati për ndeshjen në Durrës janë të pakta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online