Florian Riza ka zbuluar në studion e emisionit “Ora Sport” në “Ora TV” emrat e klubeve që kanë propozuar Dritan Shakohoxhën si kandidat për president të FSHF-së. Riza tregon se të gjithë këto ekipe kanë një emërues të përbashkët, drejtohen nga një kryebashkiak i Partisë Socialiste. Diçka kjo që vërteton ndërhyrjen e politikës në këto zgjedhje.
“Di që Shakohoxha është propozuar nga klubet e Burrelit, Pukës, Butrintit, Cërrikut dhe një tjetër. A lidhen këto klube direkt me kandidatin për president? Se më duket që nuk ka asnjë lidhje. E vetmja gjë që i lidh këta është fakti se secili prej tyre ka në krye një kryetar bashkie që i përket Partisë Socialiste. Kjo vërteton dhe njëherë që ndërhyrja e shtetit është evidente. Shteti vetë ndoshta njëherë ndërhyn me anëtarët e qeverisë, me anë të anëtarëve të bashkive, por sot ndërhyn me anë të këtyre kandidatëve”, është shprehur Florian Riza./Sport Ekspres/