Sebino Plaku mund të festojë tashmë, pasi ka marrë fund odiseja gjyqësore me klubin polak Slask, raporton Supersport. Sulmuesi prej kohësh ishte në gjyq me polakët, duke kërkuar drejtë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, me këtë të fundit që tashmë i ka dhënë të drejtë. Gjithçka lidhej me padinë e bërë nga Plaku për mospërmbushje të detyrimeve financiare gjatë sezoneve 2014-2015 dhe 2015-2016.
I transferuar te Slask me kërkesën e trajnerit Stanislav Levi, firmosi kontratë me rreth 10 mijë euro në muaj në vitin 2013 dhe për një sezon u pagua rregullisht, por në startin e sezonit pasardhës drejtuesit e klubit i kërkuan t’i përgjysmonin rrogën, gjë që nuk u pranua nga sulmuesi. Kjo bëri që Slask t’i kërkonte prishjen e kontratës, gjë që ndodhi, por Plaku vendosi ta ndiqte çështjen juridikisht. Çështja u gjykua nga komisionet disiplinore në Poloni, që e çliruan futbollistin nga çdo detyrim kontraktual, por pa i dhënë të drejtë për rrogat e prapambetura. Gjithsesi, Plaku e ka çuar çështjen në KAS, duke përfituar rreth 250 mijë euro rrogë të dy sezoneve, plus kamatëvonesat. Fillimisht, Plaku duhet të paraqesë faturat e pagesave që ka marrë nga Partizani dhe Skënderbeu për sezonin 2015-2016, pasi shuma e marrë në Shqipëri do të zbritet nga shifra që do të marrë në Poloni.