Mauricio Sarri nuk po kalon një sezon dhe fort të mirë te Çelsi. Trajneri italian është momentalisht në vendin e pestë, në luftë për objektivin kryesor të bluve, zonën Champions.
Rezultatet në ndeshjet e fundit kanë qenë pozitive, por forma dhe loja e londinezëve nuk ka bindur. Së fundmi, trajneri Sarri ka folur për mediat, ku është pyetur për presidentin Abramoviç, për të cilin italiani është shprehur se flet më shumë me ndihmës trajnerin Xhanfranko Zola se sa me të.
“Flet më shumë me Zolën se sa me mua, por është edhe normale pasi anglishtja e Zolës është më e mirë. Tani ka disa probleme, por gjithmonë është i përfshirë me ekipin. Është presidenti dhe është i aftë të dikojë si te stafi teknik, ashtu edhe te lojtarët.”