Juventusi u mund 3-2 nga Totenhemi në ndeshjen e parë të International Champions Cup dhe trajneri bardhezi Mauricio Sarri pas ndeshjes justifikoi skuadrën me formën fizike ende larg optimales.
“Ishte një ndeshje e vështirë, kundër një skuadre që luan bashkë prej vitesh, me të njëjtin trajner. Edhe fizikisht përgatitja nuk ishte e njëjtë, ata ishin më brilantë, më shpërthyes”.
Ish-trajneri i Çelsit evidenton mangësinë që i ra në sy: “Nëse duam ta tregojmë futbollin tonë, duhet të përmirësohemi në të mbrojturin duke sulmuar. Sidomos në pjesën e parë u mbrojtëm duke qëndruar pas, ndaj ishte tepër e vështirë të riniseshim me shpejtësi. Në pjesën e dytë shkoi më mirë, e lëvizëm topin më shpejt dhe me cilësi. U treguam naivë në topat e humbur që çuan te golat e Totenhemit”.