Samuel Nikaj nuk duron më: Masakër, s’kisha parë kurrë diçka të tillë!

Vushtrria u mposht në fundjavë nga Vllaznia, por gjithsesi mbetet në vendin e parë në klasifikim. Ajo çka ra në sy ka të bëjë me faktin që skuadra e drejtuar nga Samuel Nikaj e mbylli me 7 lojtarë. Gjyqtari Bajram Gashi i tregoi kartonin e kuq katër futbollistëve: Visar Imerit, Anton Lleshit, Korab Hasanit dhe Burim Sadikut.

Klubi nga Vushtrria është ankuar për gjykimin, ndërkohë që së fundmi edhe trajneri Samuel Nikaj ka dalë me një qëndrim në llogarinë e tij në “Facebook”. Shkodrani është i qartë, teksa thekson se në futboll nuk i kanë parë sytë masakër më të madhe.

“Tash dy e vite që drejtoj në Kosovë jam munduar të ruaj një profil trajneri modest, që flet me rezultate e jo me deklarata bombastike, e me ankesa për mikpritjet që na rezervohen, për problemet në referim, për cilësinë e stadiumeve, sepse nuk kam dashur që problemet e futbollit në Kosovë t’i bëj të mëdha. Kjo sepse realisht e ndjej veten të shtëpisë, e problemet e shtëpisë nuk a mirë t’i marrin vesh të gjithë. Por mendoj që e djeshmja është fundi e nuk ka më keq.

Kam 31 vite në futboll, por masakër më të madhe nuk kam pa me sy. Nuk më vjen keq as për presionet jashtë fushe nga 30 civil rreth fushe, sepse jemi mësuar. As nga terreni i vështirë, sepse në fund njësoj për 2 ekipet është, pavarësisht se ata luajnë e stërviten aty ‘non-stop’. Më vjen keq vetëm nga treshja e referave, sepse nuk e kuptoj si se kanë frikë Zotin mbasi nuk kanë as nga njerëzit përkatës të FFK.

Me vjen keq për LOJTARËT shumë, sepse rrezikojnë jetën, lënë karrierën duke luajtur në kësi terrenesh, por më së shumti për KRYESINË, sepse pa asnjë lloj interesi shpenzojnë 200 000 euro dhe të dalin tre kamikazë dhe t’i hedhin në det është absurde. Kam besim në organet e FFK që këto raste të mos përsëriten, sepse po na largojnë sponsorët e po na lënë në rrugë të madhe 30 familje dhe po shkatërrojnë një qytet që kryefjalë ka futbollin.

Është qyteti i Isa Sadriut, Cimilit, Kollarit, Dallkut e Rashicës e shumë të tjerëve. Është gjynah sepse ne vend që të na mbështesin na fusin shkopinj ndër rrota, por ne do ia dalim sepse kemi një lidhje të fortë kimike KRYESI-STAF-LOJTAR e tifozë. Së fundi një falënderim për tifo-grupin FORCA, sepse ato janë forca jonë. S’ka m’u ndal, drejt Superligës më të fortë se kurrë”, shkruan Nikaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *